Kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi rëndësinë e rolit të mbledhjes së prokurorëve, për të cilin tha se ky mekanizëm duhet të gjejë më shumë pasqyrim në raportiet vjetore të Prokurorisë së Posaçme. Në tryezën e diskutimit për integritetin dhe performancën e SPAK, Dumani përmendi edhe boshllëqet ligjore lidhur me përfundimin e mandatit të Prokurorëve të posaçëm, teksa tha se e kanë adresuar si problematikë.
“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me instucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi që dmth se prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë drejtuesit i SPAK, përjashtuar në disa momente hetimi. Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo. Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK. Nuk jam dakord me këtë vlerësim, pjesërisht i përmbushur, por roli aktik i këtij mekanizmi duhet të gjëjë më shumë pasqyrim në raportet vjetore të SPAK”, tha Dumani.
Dumani u ndal edhe te raportet me KLP dhe ILD, ndërsa sa i përket Kuvendit, dhe raportimit vjetor në këtë institucion, ai tha i mirëpresin rekomandimet e tyre por duhet të bazohen në analiza të thelluara.
“Çdo rekomandim i kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë. Po të shikoni raportet e SPAK, do të gjeni edhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo të Ksëshillit të Ministrave. vlerësojme se rekomandimet duhet të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura, në mënyrë që të sigurohet komunikim institucional.”, tha Dumani.
Duke u ndalur te llogaridhënia, Dumani theksoi se ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por shtoi se përpjekjet për të cenuar pavarësinë e institucionit rrezikon që të çbalancojë kufijtë kushtetues. Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se edhe vërejtja se ekzekutivi duhet të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe adresojnë nevojat reale për përmirësim, por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative dhe jo më tej është e drejtë dhe përputhet me parimet kushtetuese.”, shtoi Dumani.
Lajmi kryesor:
Gonzato: Të ndalet presioni ndaj drejtësisë! Dumani: Përpjekjet për të cenuar pavarësinë e SPAK, rrezikojnë kufijtë kushtetues! Manja: Llogaridhënie
Xh.D/ReportTv.al
