HUNGARI - Armand Duplantis vazhdon të rishkruajë historinë e atletikës. Suedezi, i njohur si 'jashtëtokësori' i pistës, arriti një tjetër mrekulli sportive në “Gyulai Istvan Memorial” të Budapestit, duke kërcyer në lartësinë 6.29 metra.
25-vjeçari, dy herë kampion olimpik dhe botëror, vazhdoi traditën e tij të përmirësimit të rekordit të mëparshëm të vendosur nga vetë ai, me një centimetër në Budapest, pasi kishte kaluar 6.28 metra në 'Diamond League' të Stokholmit në qershor.
Ky rezultat jo vetëm i siguroi fitoren në garë, por edhe shënoi rekordin e 13-të botëror në karrierën e tij, duke konfirmuar dominimin absolut në disiplinën e kërcimit me shkop, të cilën e ka sunduar prej vitesh.
Atletët marrin bonuse deri në 100.000 dollarë, përveç çmimeve të garave, për thyerjen e rekordeve botërore në takimet e caktuara të Kampionatit Botëror të Atletikës.
Duplantis tashmë po shihet si atleti që mund të çojë kufijtë e kësaj gare në nivele që deri dje dukeshin të pamundura.
Komente
