Opinion
Periferi

Durimi dhe rezistenca jonë tani mund të jenë vlerat që na duhen!

7 Mars, 21:01| Përditesimi: 7 Mars, 21:02

  • Share

Të gjitha lëndimet dhe të këqijat që na kanë qëlluar të kalojmë në historinë e tranzicionit tonë, si shqiptarë,  duket sikur na kanë përgatitur për ditë të vështira ku logjika është strukur nga superxhiroja e instikteve. Disa në këto kohë nuk përmbahen më: Mendojnë se të thonë çdo gjë e të bëjnë çdo gjë në publik, është shenjë lirie dhe demokracie. Ata që duhet të mendohen, të peshojnë fjalët, të peshojnë situatat, as e çajnë kokën të shfaqen vërtetë më keq se pijaneci i lagjes. Duket sikur u ka sosur durimi për të zgjedhur dhe për të seleksionuar më të mirën dhe për t’ja ofruar Botës që e përpin në të qindtën e sekondës. Është e vështirë pastaj të përtypësh mbrapsht atë që doli dhe u shpërnda në mënyrë globale.

Ne shqiptarët, e dimë, pas rënies së regjimit komunist, u përballëm me një tranzicion të vështirë politik, ekonomik dhe shoqëror. Megjithatë, në këtë rrugëtim të ndërlikuar, treguam një aftësi të rrallë për t’i mbijetuar politikave të gabuara dhe për të ruajtur shpresën për një të ardhme më të mirë. Në kuptimin e vërtetë të fjalës: Kapërcyem mure, male, det dhe vetveten, pa ditur se ç’na priste nga ana tjetër e botës. Por e bëmë dhe shumë mbijetuan e u përmirësuam. Ata që deshën, u kthyen.

Nuk kalon ditë pa takuar bashkatdhetarë të mirëintegruar kudo që lëviz. Një përshtatje dhe një rezistencë për t’u admiruar. Dhe këtë e thonë edhe të huajt që na pritën, na njohën e na krahasuan.

Duhet pranuar që tranzicioni pas viteve ’90 ishte një periudhë tepër e rëndë për vendin, si një uragan apo cunam për të cilin ende nuk jemi akoma të vetëdijshëm. Rënia e një sistemi të centralizuar solli jo vetëm sfida të mëdha ekonomike, por edhe krizë besimi në institucionet e reja demokratike. Kriza e vitit 1997 ishte një nga momentet më të errëta, ku vendi u përball me kaos të thellë dhe humbje të mëdha. Megjithatë, edhe në ato kushte të vështira, ne shqiptarët treguam aftësinë për të rindërtuar dhe për të qëndruar ndaj sfidave që kërcënonin stabilitetin kombëtar.

Gjatë viteve të tranzicionit, shumë politika të ndjekura nga klasa politike shqiptare nuk reflektuan gjithmonë interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Megjithatë, zgjuarsia dhe përshtatshmëria që na karakterizon bënë të mundur mbijetesën edhe përballë vendimeve të gabuara që shpesh e frenonin progresin. Forca e jonë ka qenë gjithmonë aftësia për të ecur përpara, duke gjetur rrugë alternative për mbijetesë dhe zhvillim, qoftë përmes emigracionit, qoftë përmes sipërmarrjes së lirë që lulëzoi në dy dekadat e fundit.

Sot, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe konkretë në rrugëtimin drejt integrimit evropian. Reforma në drejtësi, modernizimi i administratës publike dhe përpjekjet për luftën kundër korrupsionit janë tregues të një përkushtimi serioz për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Megjithëse sfidat mbeten, progresi është i dukshëm dhe vullneti për t’u integruar në Bashkimin Evropian është më i fortë se kurrë.

Durimi dhe rezistenca mbeten një cilësi që kanë shënjuar historinë tonë ndër shekuj dhe vazhdon të na karakterizojë. Nga pushtimet e huaja, tek periudha e komunizmit dhe tranzicioni i vështirë demokratik, kemi treguar se jemi një popull që nuk dorëzohet lehtë. E ardhmja e Shqipërisë nuk varet vetëm nga politikat dhe politikanët e momentit, të cilat e të cilët vazhdojnë të na mbajnë në centrifugën e ngjarjeve dhe deklaratave shpeshherë pa asnjë logjikë dhe kuptim, por, mbi të gjitha, nga vullneti dhe forca e një populli që ka dëshmuar se, pavarësisht sfidave, nuk ndalet kurrë në rrugën drejt zhvillimit dhe përparimit.

Është kjo frymë dhe rezistencë që mesa duket i kemi në genet tona dhe e pamundur të na lenë në mes të rrugës edhe në sfidën e vështirë të integrimit Europian. Atëherë kur shumë tremben, ne gjejmë forcën të ecim, të durojmë, të rezistojmë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?