Projekti i 'Durrah City'

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

28 Mars, 11:09| Përditesimi: 28 Mars, 11:16

  • Share

Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 90 milionë lekësh (ose 900 mijë euro) për Akademinë e Futbollit "Durrah City". Duket se qeveria ka mbuluar shpenzimet e vitit 2024 për Akademinë që pritet të marrë jetë këtë prill dhe të fillojë nga puna në shtator në qytetin e Durrësit.

Edhe më herët qeveria shqiptare kishte akorduar një fond prej 20 milion lekesh (të rinj) për këtë akademi, duke i mbuluar shpenzimet e 2023.

Në këtë vendim thuhet se "Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024,  të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit."

Kujtojmë se Akademia e Futbollit "Durrah City" është një projekt i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit së bashku me "City Group" që zotërohet nga sheikët dhe klubi i tyre më i njohur është Manchester City.

Njoftimi:

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY”, PËR VITIN 2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit prej 90 000 000 (nëntëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2024, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit mars të vitit 2025, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2024,  të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.

4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?