Pasditen e kësaj të hëne, në Drejtorinë e Policisë së Durrësit ka mbërritur një denoncim, ku pronari i një mjeti lundrues që ndodhej i ankoruar në Portin e Durrësit ka konstatuar se mjeti nuk ndodhej më në vendin ku ishte ankoruar pak ditë më parë.
Dori Alikaj, pronari i jahtit "Tamomar 2", në denoncimin e tij në komisariatin e policisë së Durrësit ka pohuar se rreth orës 14:00 është lajmëruar se mjeti nuk ndodhej në vendin ku ishte ankoruar. Ai menjëherë ka vënë në dijeni Kapitenerinë e Portit të Durrësit, Policinë Kufitare dhe më pas i është drejtuar komisariatit të policisë për të bërë kallëzim.
Institucionet janë vënë menjëherë në veprim. Pas disa minutash, personat që kishin marrë mjetin lundrues, në tentativë për të dalë nga akuariumi, janë kthyer sërish në vendin ku jahti ishte i ankoruar. Policia shoqëroi në komisariat personat e përfshirë për të sqaruar rrethanat.
Nuk dihet ende se si personat e përfshirë e kanë ndezur jahtin, pasi çelësat e tij i mbante kapiteni i tij, Memet Ayhan Ulus. Burime nga policia thonë se tre persona po merren në pyetje për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj historie.
Komente
