Durrës - Dy drejtues kamioni janë arrestuar pasi ndihmuan 5 persona që të dilnin jashtë Shqipërisë duke kaluar ilegalisht kufirin të fshehur poshtë mjeteve të tonazhit të rëndë.
Në pranga ranë shoferët G. Xh. 48 vjeç dhe E. B. 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit, në kamionët e tyre u gjetën të fshehur 5 persona që synonin të dilnin jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë që njëri prej këtyre 5 personave rezulton që të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia pasi është dënuar me 7.6 vite burgim për vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai është Indrit Lleshi alias Ibrahim Lleshi 34 vjeç, i lindur në Dibër, i cili u arrestua provizorisht me qëllim për t'u ekstraduar në Itali për të vuajtur dënimin.
Njoftimi i Policisë Durrës:
PKK Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rolet”.
Fshehën në kamionët që drejtonin, 5 shtetas shqiptarë që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej të shtetasve të fshehur në kamionë, në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me mbi 7 vjet e gjysmë burgim, për vjedhje në Itali, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sekuestrohen kamionët, mjete identifikimi dhe celularë.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, si dhe si rezultat i administrimit të shpejtë dhe profesional të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin “Rolet”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit G. Xh., 48 vjeç dhe E. B., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi në kamionët që drejtonin, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën të fshehur 5 shtetas shqiptarë.
Nga verifikimet e mëtejshme në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se njëri prej 5 shtetasve që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, konkretisht shtetasi Indrit Lleshi alias Ibrahim Lleshi, 34 vjeç, i lindur në Dibër, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Ankonës, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 34-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Komente
