Durrës - Një muaj më parë, në datën 15 qershor 77 vjeçar Zylyf Këlliçi u aksidentua për vdekje në aksin Plepa-Shkozet.
Pas një muaji policia ka bërë të mundur vënien në pranga të 29 vjeçarit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Bëhet fjalë për A.S, banues në Tiranë, i cili u kap në vijim të veprimeve hetimore nga Prokuroria e Durrësit. 29 vjeçari akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Gjithashtu policia ka ndaluar me iniciativë vëllanë e tij, M.P 25 vjeç. Ky i fundit u ndalua pasi 29 vjeçari ka deklaruar se në momentin e aksidentit automjeti drejtohej nga vëllai i tij.
'Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 11:00 të datës 15.06.2024, në lagjen nr.13, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Z. K., 77 vjeç, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore:
-ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”;
-ndaluan me iniciativë vëllanë e 29-vjeçarit, shtetasin M. P., 25 vjeç, pas deklarimit të shtetasit A. S. se në momentin e aksidentit, automjeti drejtohej nga shtetasi M. P.', njofton policia.
Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore për gjetjen e përgjegjësisë penale për këta shtetas.
Komente
