Zhduket Kushtrim Selimi, shefi i AMP Durrës shantazhonte me portal drejtuesit e Policisë, ndërtoi vilë në tokën e zaptuar! Dyshohet se fshihet në Britani

2 Gusht, 15:08| Përditesimi: 2 Gusht, 19:05

  • Share

I vënë në qendër të vëmendjes së mediave pak muaj më parë për portalin e tij denigrues dhe shantazhues ndaj drejtuesve kryesor të Policisë së Shteti, ish-shefi i Sektorit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Durrës, Kushtrim Selimi, është shpallur sërish në kërkim, kësaj here për zaptimin e një trualli.

Bashkë me Selimin në “arrest në burg”, Gjykata e Durrësit firmosi edhe 6 vendime të tjera, më konkretisht “arrest në burg” për Metin Voglin, “pezullim nga detyra” për 4 efektivë policie, Edmond Plaku, Skënder Sakaj, Kastriot Karafili dhe Ardian Jonuzi. Ndërkohë, për ish-sekretaren e Kushtrim Selimit, Regina Omeri, po ashtu e përfshirë në skandalin e portalit shantazhues, u caktua masë “detyrim paraqitje” për moskallëzim krimi. 

Por, jo të gjitha masat u ekzekutuan nga AMP. Kushtrim Selimi nuk është gjetur në banesë. Burime bëjnë me dije për Report Tv se ka mundur të arratiset përmes Kosovës dhe nga aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar në drejtim të Britanisë së Madhe, duke u shpëtuar prangave edhe pse ishte në masë “detyrim paraqitje” për portalin që prodhonte lajme denigruese. I pa arrestuar është edhe Metin Vogli. 

Por, pse Kushtrim Selimi ra sërish në grackën e drejtësisë?

Gjatë kohës që verifikohej veprimtaria e tij denigruese në portal, hetuesit arritën të gjejnë një tjetër veprimtari kriminale të tij. Kushtrim Selimi rezulton se gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e shefit të sektorit pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet që i jepte pozicioni, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit.

Në këtë pronë, Selimi ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë. Ai është në akuzë për 3 vepra penale, nga shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim, te ndërtimi pa leje e deri te vjedhja e energjisë elektrike, vepra penale të kryera në bashkëpunim me Metin Voglin.

Për këtë vilë të ndërtuar jashtë çdo rregulli dhe praktikisht me pronë të zaptuar, dijeni ka pasur dhe Regina Omeri. Për të kryer “pa u lagur” zaptimin e pronës shtetërore, është ndihmuar nga 4 oficerët e policisë, tashmë të pezulluar nga detyra, të cilët shpërdoruan detyrën, bashkëpunuan me Selimin dhe mbyllën sytë.

Hetimet e Krimit Kibernetik pranë Policisë së Tiranës ishin ato që fundosën ish-zyrtarin e lartë të AMP-së, Kushtrim Selimi. Ishte zbërthimi i celularit të Regina Omerit, ish-kolege me Kushtrim Selimin, në celularin e së cilës u gjetën foto dhe mesazhe në lidhje me vilën ndërtuar mbi pronën e zaptuar. Omeri gjithashtu dyshohej se ishte e përfshirë në skemën e portalit ku përmes shkrimeve vendosnin gjoba dhe denigronin drejtuesit e policisë.

Kushtrim Selimi dyshohet se shantazhonte punonjësit përmes detyrës që kishte që të vijonte ndërtimin e banesës pa leje. Më pas Sektori i Krimit Kibernetik i përcolli këto prova AMP dhe Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i AMP:

Durrës  AMP ekzekuton 7 masa sigurie

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës – Kavajë ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkuar nga Prokuroria në kuadër të procedimit penal të vitit 2024 për masat e sigurisë:

 Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit E.V., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.

Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases Regina Omeri, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Edmond Plaku me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Skënder Sakaj me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Karafili  me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.  

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Ardian Jonuzi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet e kryera u siguruan prova se shtetasi Kushtrim Selimi, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Shef sektori pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet e pozicionit, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Punonjësit e policisë, tashmë nën masa sigurie, në dijeni të veprimeve të kundraligjshmë kanë siguruar mjetet e nevojshme për ndërtim.

Janë firmosur masa sigurie për:
Metin Vogli- "Arrest me burg" (në kërkim)
Regina Omeri- "Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Edmond Plaku- “Pezullim nga detyra" 
 Skënder Sakaj- “Pezullim nga detyra”
Kastriot Karafili- “Pezullim nga detyra” 
 Ardian Jonuzi- “Pezullimit nga detyra" 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E verteta: 02/08/2024 15:52

    Po si mund ta arestoni ju shef lesh Selimin kur vellai eshte shef i antidroges tirane? Mos ta bej kaq per vellain ai qe mos ta arestojne por te aratiset? Edhe heren e pare u dorezua vete pas pazarit qe bete. Po Regina se mban dot burgun, apo se le burri te shkoje se e ka shef shishi ne kavaje? Shtet i rrezuar pa integritet.

    Përgjigju
    • Daku: 04/11/2024 06:30

      Po skender sakaj rrugve me uniform dhe me radio kto tallin lesht

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?