Anija 'Moliva' e ankoruar në Durrës

Kronikë

Durrës/ Anija ‘Moliva’ me 210 tonë mbetje e kthyer nga Tajlanda, prokuroria: Gjendet laboratori ku do kryhen analizat, kreu i ‘Rrjetit të Bazelit’ ka dërguar dëshminë dhe provat

5 Mars, 18:35| Përditesimi: 5 Mars, 20:57

  • Share

DURRËS-Mostrat e marra nga ngarkesa me mbetje në Anijen “Moliva’ të sekuestruar në portin e Durrësit, do të analizohen në një laborator në Shqipëri.

Prokuroria e Durrësit thotë se ky laborator ka infrastrukturën e duhur për të garantuar respektimin e të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave për të parë nëse 210 tonë mbetje të kthyera nga Tajlanda në muajit tetor të vitit të kaluar janë ose jo të rrezikshme. 

Kontejnerët që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

'Kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1596, të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është duke kryer hetime intensive.

Fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontenierë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024. Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontenierë si dhe volumin i madh (102 kontenierë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizmit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse. Në mungesë të infrastruktuës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si:

Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;  Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza); Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të  metaleve dhe hirit të termocentraleve dhe të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve. Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave', thuhet në njoftim. 

Sipas prokurorisë, kreu i ‘Rrjetit të Bazelit’, Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një e-maili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marr pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit. Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.

Prokuroria e Durrësit nisi hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”. Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, për një vlerë 141 mijë dollarë dhe ia shiti subjektit kroat "GS Minerals Doopër një vlerë 141 mijë dollarë. Pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara, anija u kthye në Shqipëri dhe mbërriti mëngjesin e 28 tetorit 2024, në radën e jashtme të portit detar të Durrësit, ndërsa u ankorua në port më 8 nëntor 2024.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?