Baritoni Gëzim Myshketa u rikthye në qytetin e lindjes, Durrësin me një koncert recital, që mbushi plot arenën e amfiteatrit mbrëmjen e së shtunës.
Një obligim ndaj qytetit, siç preferoi vetë ai ta quajë këtë koncert, ofroi për të gjithë të pranishmit jo vetëm pjesë operistike nga disa nga ariet më të njohura botërore si ato nga operat “Karmen” apo “Traviata”, por edhe pjesë emblematike shqiptare si “Të falem i bukuri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”.
“Emocionet janë të jashtëzakonshme. Në Durrës, në këtë amfiteatër ku jam rritur ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ishte një borxh, obligim ndaj qytetit që ti këndoj Durrësit dhe Durrsakëve. Është një program pak nga të gjitha. Nuk do të ketë vetëm opera. Për ta bërë koncertin sa më interesant. I kam përzgjedhur këto për ta bërë programin artistik të koncertit sa më interesant për të gjithë llojet veshëve. Si për ata specifikë operistikë, por edhe jo vetëm”,- deklaroi Myshketa para koncertit.
Megjithëse ka performuar në shumë skena botërore, para shumë personaliteteve të famshëm, ky koncert gala në vendlindje mbart një emocion të veçantë për Gëzim Myshketën.
“Pritëm shumë vite por të mos jetë koncerti i fundit, por fillimi i shumë koncerteve dhe programeve të tjera për qytetin dhe jo vetëm”,- tha Myshketa.
Rikthimi me këtë koncert në vendlindje pas 12 vitesh do të pasojë me projektin tjetër të tij, hapjen e një Masterclass-i për talentet e reja të muzikës lirike, një kurs specializimi i nivelit të lartë vokal dhe skenik.
“Masterclas ishte një ëndërr e imja. Kam dëshirë ta shndërroj qytetin e Durrësit në një qendër specializimi për të rinj nga gjithë Evropa e bota, që të vijnë këtu në Durrës dhe të perfeksionojnë artin e tyre operistik”,- deklaroi Myshketa.
Gëzim Myshketa ka shkëlqyer në skenat operistike evropianë dhe botërore duke qenë protagonist absolut në teatrot më prestigjioze të Berlinit, Zyrihut, Tokios, Lisbonës, Amerikës, etj.