Pse dy zona të qytetit të Durrësit përjetuan situatën më problematike nga përmbytjet pas shirave të rrëmbyeshëm të tre ditëve më parë (29 Janar), ku për pasojë u ça edhe argjinatura e kanalit të ujërave në Porto-Romano, që rrezikon jetët e qindra banorëve nga rrëshqitjet.
Në emisionin ‘Sot, Live në Shqipëri’ të moderatorit Nertil Agalliu, u analizua kjo situatë (31 Janar), me një raportim të thelluar të gazetarit të Report TV në këtë qytet, Artur Korriku dhe deklaratave të vetë banorëve, që akuzojnë firmën që bëri punimet në thellimin e kanalit me 4 metra, duke krijuar faktorë për dëmtimin nga shirat.
Nëse nuk ndërhyhet në kohë me një projekt tjetër serioz dhe fonde të mjaftueshme, në të ardhmen nuk jepet siguri për bllokun e banesave në pjesën e kodrës mbi Currila dhe se mund të ketë pasoja katastrofike.
“Rrëshqitje në argjinaturën e kanalit në Porto-Romano, banesat dhe bizneset në rrezik. Ngjarja ka ndodhur pranë kanalit të ujërave kulluese të kodrës, që shërbejnë për të parandaluar përmbytjet në qytetin e Durrësit. Shkarje e dherave pas varrezave të reja në këtë zonë banimi, ku ka edhe një biznes të madh. Për 6 orë rresht ranë shira rrëmbyese që nuk ishte parë ndonjëherë pardje. Banorët dhe pronarët e bizneseve paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet shpejt mund të ketë pasoja edhe më të rënda në të ardhmen, pasi çarja e tokës dhe rrëshqitja e dherave është serioze. Ujërat kalojnë të gjitha aty, në pjesën ku ndodhet ish-vila e “Mbretit Zog” nëpërmjet kanaleve deri te zona e Porto Romanos, që këto ujëra të mos zbrisnin në qytetin e Durrësit. Aty u kryen punime dhe u betonua që mos të kishte përmbytje, por ka një segment nga fundi i varrezave të reja, deri te shkolla 9-vjeçare e Porto Romanos që nuk është betonuar”, shpjegon gazetari Korriku dinamikën e ngjarjes dhe dëmeve.
Ai shpjegon se në atë segment ka ndodhur edhe shkarja.
“Meqenëse është thelluar 4 metra kanali, lëviz uji për shkak të pjerrësisë dhe thithjes nga hidrovori, duke pasur edhe efekt grryerës, duke dëmtuar argjinaturën. Për pasojë ka shkarë dhe zona ka pësuar gjithë atë ulje. Kritike është se edhe faqja e kodrës që lidhet me argjinaturën, rrezikon të shembet. Është dhënë alarmi nga banorët e zonës dhe përfaqësuesit e biznesit, teksa kanë shkuar edhe punonjës të Bashkisë për ta parë më nga afër situatën. Kërkohet ndërhyrje serioze dhe voluminoze me fonde të shtuara, sepse banorët rrezikojnë shumë”, shpjegon gazetari.
Por ai thekson se tani Durrësi ka vetëm dy zona problematike, ku duket se ndërtimet pa kriter kanë qenë edhe shkaku kryesor, pasi në to nuk lejohet të ngrihen objekte sepse ndodhen nën nivelin e detit.
“Dy blloqe që pësuan dëme në Durrës. Njëri me 200 banesa te ish-Këneta dhe që pësuan dëme të mëdha. Sipas inxhinierëve ka diçka në atë bllok që nuk shkon, pasi janë bërë kanale të reja dhe është investuar ndër vite. Por nuk ka në atë bllok as rrugë të dëmtuar dhe as biznese. Pra vetëm banesat u prekën te zona e ish-burgut, ku duhet gjetur ku është defekti apo problemi. Por nuk është e ngjashme me situatën e Vlorës. Blloku i dytë është pjesa e zonës së plazhit, pjesa fundore, pra pjesa nga unaza, që është zonë ujëmbajtëse dhe që duhet të themi se si në ish-Kënetë edhe aty është ndërtuar pa kriter. Ato janë zona që nuk parashikohen ndërtime, Këneta është nën nivelin e detit. Dhe kërkohet punë e madhe për të përballuar një situatë të tillë. Këto ishin edhe 2 zonat që patën më shumë problematikën këtë herë, që kërkojnë ndërhyrje që të minimizohen problematikat në të ardhmen”, shpjegoi Korriku.
Banorët denoncojnë punimet jocilësore për kanalin nga kompania
Por çfarë thonë banorët për ngjarjen? Ata bëjnë përgjegjëse kompaninë që kreu punimet për kanalin, duke e thelluar më shumë se çfarë duhet dhe shkaktuar gërryerjen nga ujërat e shirave.
“Na kanë thënë se kanë mbaruar fondet. Ndoshta me të vërtetë u kanë mbaruar, nuk e di, unë nuk merrem me anën financiare të bashkisë se sa ishte fondi, por unë shoh abuzim te firma, apo te ato që i kanë firmos firmës lekë, pasi pjesa, rruga prej 1,2 kilometra u la fiks këtu. Filloi ndërtimi i lulishtes mbi kanal, kur kjo ishte më emergjente. Edhe përfaqësuesit e bashkisë shfaqin çudi për këtë situatë. Nuk duhet të thellohej kanali, kanali është thelluar 4 metra këtu. Kam 30 vjet këtu dhe kurrë s’e ka pasur këtë problem ky kanal. U pastronte një herë në 2-3 vjet dhe vazhdonte kalonte ujërat e bardha të shiut dhe këto e thelluan 4 metra nga niveli, ujërat u futën poshtë dhe rrëshqiti. Dhe puna shumë e dobët e jashtë cilësisë së firmës, ku mungoi edhe revizioni i punimeve”, thotë përfaqësuesi i banorëve të zonës në një reagim për mediat”, shprehet një prej tyre në emër të të gjithë përfaqësisë së komunitetit në këtë zonë.