Policia ka vënë në pranga një 33-vjeçar në Durrës, i cili akuzohet për një sërë vjedhjesh në qytetin bregdetar. I riu vidhte vegla pune, elektromotore, trapano, në banesa, kantiere ndërtimi e dyqane.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Several", gjatë të cilit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga Gentjan Hasa, 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit në banesën e Hasës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shuma parash (euro dhe lekë), vegla pune, një mjet prerës (thikë) dhe një shkop bejsbolli.
“Ky shtetas dyshohet se: më datë 29.08.2024, ka vjedhur vegla pune në një pallat në ndërtim, në lagjen nr. 1; -më datë 11.10.2024, ka vjedhur kabllo elektrike, në një kantier ndërtimi, në lagjen nr. 4; -më datë 17.10.2024, ka vjedhur një shumë parash (xhiron ditore), në një market në lagjen nr. 1; -më datë 20.10.2024, ka vjedhur vegla pune në një banesë, në lagjen nr.17/1. Gjithshtu, ky shtetas dyshohet se më datë 27.10.2024, në lagjen nr. 17/1, është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. T”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.