Një 46-vjeçare, dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjas në Itali, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të narkotikëve, ka rënë në prangat e policisë Durrës.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë finalizuar një tjetër operacion për këtë qëllim.
Bazuar në informacionet e marra, në kuadër të operacionit të koduar "Arachne”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetases në kërkim, Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, 46 vjeçe, banuese në Durrës.
Gjykata e Shkallës e Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 169, datë 27.09.2025, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit "Arrest në burg", parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për këtë shtetase, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Bolonjas, Itali, të vitit 2020, mbi bazën e të cilit është dënuar shtetasja Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale "Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike".
Komente
