DURRES - Policia e Durrësit jep detaje mbi operacionin e koduar “Eurot” ku është arrestuar Elidon Çela
33-vjeçari, i shpallur në kërkim për sasinë prej 522 mijë euro të sekuestruara në portin e Durrësit në tetor të 2022 u arrestua sapo zbriti nga trageti në port.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në inteligjencën policore për një shtetas të shpallur në kërkim që do të kthehej nga Italia në Durrës, me traget, kanë organizuar punën dhe në momentin që shtetasi Çela ka zbritur nga trageti, shërbimet e Policisë e kanë vënë në pranga” informoi sot policia.
Ndaj tij Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 14 shtator 2023, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për këtë shtetas.
Gjatë kontrollit, në momentin e ndalimit, iu gjetën 9 000 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia.
Dosja do të hetohet nga prokuroria e Durrësit.
Elidon Çela, me banim në Lushnje do të hetohet për “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me detyrim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet e akcizes", "Kontrabanda me mallra të tjera", “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë", “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lajmi kryesor:
Lejoi largimin nga Shqipëria të Elidon Çelës, ndalohet polici i Portit të Durrësit! Pronari i kompanisë “Buon Aventura” në hetim për 522 mijë euro
S.G//ReportTv.al