Durrës-Një 49-vjeçar nga Egjipti është arrestuar në Durrës pasi akuzohet se krijoi në Itali, një organizatë kriminale për trafikim të qenieve njerëzore.
Ndaj Walid Elabd, Gjykata e Katanias, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale 'Trafikimi i qenieve njerëzore'.
"Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 36”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, W. E., 49 vjeç, të lindur në Egjipt.
Gjykata e Katanias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale", informoi sot policia.
49-vjeçari pritet të eksatradohet në Itali, ndërsa parashikohet që për këtë veprimtari të dënohet me 20 vite burg.
"Për këtë veprimtari kriminale ligji në Itali parashikon si dënim maksimal 20 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 49-vjeçarit, në Itali", thuhet më tej në njoftim.
Komente
