Durrës- Një 28-vjeçar i cili i vodhi me dhunë portofolin dhe celularin një 38-vjeçari ka rënë në prangat e policisë së Durrësit.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur gjatë natës në rrugën "Pavarësia", në lagjen nr. 13.
Në njoftimin zyrtar për mediat, blutë informojnë se i riu ishte dënuar më parë për vjedhje.
Madje disa ditë më parë ka vjedhur celularin një personi tjetër.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 13, Durrës, një shtetasi i kishin marrë me dhunë profofolin dhe celularin, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua, u kap dhe u arrestua për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, shtetasi R. Z., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.
Ky shtetas dyshohet se gjatë natës, në rrugën "Pavarësia", në lagjen nr. 13, i ka marrë me dhunë protofolin dhe celularin, një 38-vjeçari.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. Z., më datë 05.06.2025, i ka vjedhur celularin dhe një shtetasi tjetër”, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Komente
