Një 37-vjeçar në Manëz është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Gjuricaj”, pasi u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimë narkotike. Në pranga është vënë Arjan Gjozi.
Policia thotë se 150 bimët narkotike kanabis ishin mbjellë në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gjuricaj. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Arjan Gjozi rezulton i arrestuar për trafik droge në Greqi, por u lirua në vitin 2012.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, me dron, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacion policor të koduar “Gjuricaj”.
Gjatë operacionit, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gjuricaj, shërbimet e Policisë konstatuan 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasin A. Gj., i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Gj., 37 vjeç, banues në fshatin Gjuricaj, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. ", njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Komente
