Durrës/ Mbajti peng fëmijët, arrest me burg për Aleks Markun! Gjyqtari Shkëlzen Liçaj seancë sekrete, në mënyrë arbitrare nxjerr gazetarët jashtë

17 Maj, 13:46| Përditesimi: 17 Maj, 19:05

  • Share

DURRES- Aleks Marku, 40-vjeçari, i cili gjatë natës 14 - 15 maj mbajti peng fëmijët me kallashnikov në një banesë me qira tek Shkëmbi i Kavajës, doli sot (17 maj) përpara Gjykatës së Durrësit ku dhe u dha masa e sigurisë 'arrest me burg'

Gjyqtari Shkëlzen Liçaj ka vendosur në mënyrë arbitrare të zhvillojë masën e arrestit për shtetasin Aleks Marku, në mënyrë sekrete duke mos lejuar mediat e qytetit të Durrësit të marrin pjesë gjatë zhvillimit të saj. 

Fillimisht mediat janë njoftuar për ndjekjen pa kamera dhe pa regjistruar masën që do të mbahej ndaj shtetasit i cili tre ditë më parë mbajti peng fëmijët e tij në një apartament pranë Shkëmbit të Kavajës, por në një njoftim të dytë vetëm pak para se kjo seancë të niste, gjykatësi kërkoi nëpërmjet sekretares gjyqësore, që gazetarët të mos jenë të pranishëm. 

Seancat e hapura dhe me praninë e medias janë një detyrim ligjor për çdo gjykatë, me përjashtim të rasteve delikate, gjë e cila nuk ishte rasti i sotëm, gjithashtu një veprim i përsëritur kohët e fundit ku mediave nuk u lejohet të kryejnë misionin e tyre të të qenurit transparent me publikun.

Aleksa Marku mori fëmijët peng
Pas një debati me gruan, ai mori fëmijët e mitur në apartamentin me qira në Shkëmbin e Kavajës, duke qëlluar me kallash nga banesa. Aleks Marku doli më pas nga banesa i shoqëruar nga forcat RENEA, ndërsa fëmijët e tij ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Marku dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, kur së bashku me fëmijët ka marrë në banesën e Shkëmbit të Kavajës edhe një kallashnikov. Ai në dëshminë e tij tha më pas se kishte grindje të shpeshta me bashkëshorten, e cili sipas tij ishte e lidhur me dikë tjetër dhe do vinte atë natë tek shtëpia.

Duke u gdhirë data 15 maj ai ka filluar të qëllojë me kallashnikov në banesë duke thyer xhamat dhe dëmtuar muret e shtëpisë. Forcat policore të Komisariatit të Durrësit i kërkuan ndihmë RENEA-s të negociojë me 40-vjeçarin, i cili pranoi të dorëzohet nga ora 7 e mëngjesit të datës 15 maj. 

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?