Durres- Mësimi në shkollën “Kushtrimi i Lirisë’ në Durrës është ndërprerë paraditen e sotme. Nga videot e mbërritura në redaksi duken fëmijët të dalin nga shkolla.
'Kur erdhëm, një mësuese na tha dilni përjashta se ka rënë zjarr në kat të parë. Ne u trembëm shumë’ thotë një nxënës.
Nga verifikimi rezulton se ka qenë një shkëndijë elektrike nga një nga neon në banjon e katit të parë të shkollës, që ka shkaktuar djegie dhe çliruar tym.
Për arsye sigurie fëmijët u nxorrën jashtë.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke vendosur dhe një aparat ventilim-aspirimi për largimin e tymit nga ambientet e brendshme të shkollës.
Pas ndërprerjes së mësimit, drejtuesit e shkollës kanë vendosur dhe pezullimin e procesit mësimor për ditën e sotme, për shkak të pranisë së tymit në godinë.