Durrës- Eefektivi i patrullës ‘Shqiponja” të Policisë së Durrësit përfshihet në aksident duke zbardhur dita e sotme në rrugën ‘Egnatia’ teksa u përplas me disa makina të parkuara, nën dyshimin se ishte i dehur, dhe kundërshton kolegët e Rrugores për t’iu nënshtruar testit të alkoolit, por i vihen prangat nga AMP.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Durrës-Kavajë, njoftoi sot (19 gusht) se arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor Angjelo Breshani, me detyrë Trupë Shërbimi i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në këtë qytet, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
“Arrestimi i tij u bë i mundur pasi ditën e sotme rreth orës 05:40, duke drejtuar automjetin tip “Audi” në rrugën “Egnatia”, ka humbur kontrollin dhe si pasojë ka përplasur disa automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale. Në zbatim të procedurës standarde i është kërkuar të bëjë testin e alkoolit, por punonjësi ka refuzuar. Në këto kushte i është marrë monstër gjaku në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës”, njoftoi AMP.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
“AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]”, apelon institucioni.
Komente
