Durrës- Plagosi rëndë duke e goditur me gur ne koke një 20-vjeçar për motive të dobëta, arrestohet brenda pak orësh autori i dyshuar i krimit.
Burime zyrtare të policisë vendore bënë me dije se në pranga pas identifikimit dhe lokalizimit ra Jurgen Bushi, 29 vjeç, banues në qytetin bregdetar, që akuzohet për plagosje të rëndë me dashje.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së djeshme në lagjen nr. 15, teksa i dëmtuari po mjekohet te Trauma në Tiranë, pasi ka plagë kritike.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”. Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, pas mesnate, në lagjen nr.15, Durrës, ka goditur me gur, në kokë, shtetasin H. K., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës”, bëri me dije policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Komente
