Policia e Durrësit ka ndërrmarë masa sensibilizuese për reduktimin e ndotjes akustike duke bërë me dije nëpërmjet një fushate informuese se duhet reduktohen veprimtaritë që gjenerojnë zhurma në zonat turistike.
Sipas njoftimit zyrtar, ka nisur gjithashtu zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Policia Durrës ka zhvilluar kontrolle në terren në bazë të hartës së zonave me ndotje akustike.
"Janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit dhe të Golemit.”- thuhet në njoftim.
Përveç matjes së nivelit të zhurmës, kontrollet janë shtrirë edhe për respektimin e orarit të lejueshëm të muzikës në ambientet e hapura.
"Orari i lejuar për muzikën në zona apo qendra të banuara është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.”- sqaron policia.
Njoftimi i plotë i policisë
Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.
Ka nisur gjithashtu zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kavajë, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit dhe të Golemit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Durrësit mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për banorët dhe vizitorët.
Komente
