Dy vite pas shpalljes së projektit fitues pritet të nisë ndërtimi i stadiumit të ri të Durrësit. Zhvillues i projektit nuk do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit por Korporata e Investimeve Shqiptare. Në Këshillin Bashkiak të Durrësit, këto ndryshime kaluan me debate dhe u votuan vetëm nga socialistët. Ndërsa të djathtët votuan kundër, duke shprehur shqetësim për tjetërsimin e pronës publike.
“Ne kemi theksuar se nuk jemi dakord me zhvillimet rezidenciale dhe hoteleritë në atë zonë. Kemi kërkuar që ajo të mbetet pronë e bashkisë, pa ndërtime të tjera për qëllime fitimi. Korporata e Investimeve Shqiptare, që është një ent i ri rregullator, hyn në bashkëpunim me bashkinë, por nuk investon fondet e saj. Ky ndryshim thelbësor nuk është në përputhje me atë që u miratua në vitin 2023. Në këtë formë, po i jepet një e drejte pronësie apo përfitimi partnerit privat, në shkëmbim të tokës publike. Duhej që këshilli të ndalonte vendimin e parë dhe të propozonte ndryshime të vërteta, jo thjesht ndërrime togfjalëshash. Në këtë rast po japim në shkëmbim tokë shtetërore.”, tha Ardian Muka, këshilltar i PD.
Nga ana tjetër, Ani Rroshi, Drejtore Juridike e Bashkisë Durrës, theksoi se vendimi i sotëm i jep të drejtë Korporatës së Investimeve Shqiptare të veprojë si zhvillues i projektit “Rijetëzimi i stadiumit ‘Niko Dovana’, Durrës”.
“Zoti Muka është sqaruar me ndryshimet përkatëse. Ne jemi të qartë se nëse nxjerrim një VKB të re, ajo e mëparshmja shfuqizohet. Prandaj, i qëndruam zhvillimit në fjalë.”
Ky projekt ka qenë në qendër të vëmendjes që në maj 2023, kur studioja belge 51N4E u shpall fituese e konkurist nderkombetar, duke sjelle një koncept të frymëzuar nga stadiumi argjentinas “La Bombonera”, që parashikon hapësira për evente, ambiente për komunitetin. Ndërsa rreth stadiumit parashikohet të ndërtohen qendra kulturore e sportive, hotele me shume kate, zyra dhe qendra tregtare.
Komente
