Këshilli Bashkiak i Durrësit u mblodh ditën e djeshme për të shqyrtuar dhe miratuar rendin e ditës me katër pika, ku me 35 vota pro, këshilli miratoi në tërësi rendin e ditës, ndërsa në diskutimin për pikën e tretë, projektin e stadiumit, nuk munguan debatet dhe votat kundër nga ana e opozitës.
Diskutimet më të gjata u zhvilluan për pikën 3, që lidhet me ndryshimet për projektin e stadiumit, ku u shprehën shqetësime për mënyrën e menaxhimit të pronës publike dhe rolin e Korporatës së Investimeve Shqiptare në këtë projekt.
Ardian Muka i PD, anëtar i këshillit, shprehu votën kundër dhe sqaroi pozicionin e tij:
“Siç e kemi theksuar edhe në komision, ngritëm problematikën se, ashtu siç na është paraqitur miratimi për disa ndryshime në vendosjen në dispozicion të projektit, logjika e votimit bazohej në idenë se toka është pronë e bashkisë, ndërsa investimi bëhet nga FSHZH dhe prona i mbetet bashkisë. Bashkia më pas do të kishte në dispozicion ambientet për aktivitete sportive. Ne kemi theksuar se nuk jemi dakord me zhvillimet rezidenciale dhe hoteleritë në atë zonë. Kemi kërkuar që ajo të mbetet pronë e bashkisë, pa ndërtime të tjera për qëllime fitimi.”, tha ai.
Muka theksoi gjithashtu se:
“Korporata e Investimeve Shqiptare, që është një ent i ri rregullator, hyn në bashkëpunim me bashkinë, por nuk investon fondet e saj. Ky ndryshim thelbësor nuk është në përputhje me atë që u miratua në vitin 2023. Në këtë formë, po i jepet një e drejte pronësie apo përfitimi partnerit privat, në shkëmbim të tokës publike.”
Ai theksoi se, sipas tij, këto kushte përbëjnë rrezik për keqmenaxhimin e pronës publike dhe propozoi që të mos miratohej vendimi pa një rishikim më të thelluar:
“Duhej që këshilli të ndalonte vendimin e parë dhe të propozonte ndryshime të vërteta, jo thjesht ndërrime togfjalëshash. Në këtë rast po japim në shkëmbim tokë shtetërore.”
Në përfundim të fjalës së tij, Muka deklaroi se grupi që ai përfaqëson do të votonte kundër.
Nga ana tjetër, Ani Rroshi në cilësinë e Drejtoreshës Juridike të Bashkisë Durrës, theksoi se ndryshimet përkatëse ishin bërë qartësisht dhe se nuk kishte vend për mosmarrëveshje në këtë fazë:
“Zoti Muka është sqaruar me ndryshimet përkatëse. Ne jemi të qartë se nëse nxjerrim një VKB të re, ajo e mëparshmja shfuqizohet. Prandaj, i qëndruam zhvillimit në fjalë.”
Lajm ne perditesim....
Komente
