Durrës- Një rrjet kinez që rekrutonte dhe trafikonte vajza nga vendi aziatik për prostitucion në Shqipëri, është goditur sot nga Policia e Durrësit.
Një person është arrestuar dhe dy janë shpallur në kërkim, teksa u shoqëruan dhe po hetohen edhe 7 vajza.
Vihet në pranga ra Guangtai Lin, 50 vjeç, kurse në kërkim u shpallën Guangcheng Lin, 47 vjeç dhe Yanxia Zhang, 45 vjeçe, kjo e fundit drejtonte vajzat nga Bahrein me pagesat dhe ndarjen e fitimeve, i pari operonte në Shqipëri dhe dy të kërkuarit besohet se vepronin nga Vietnami.
Të proceduara janë shtetaset; Y. D, T. J, M. H, Q. Zh, Ë. F, J. Y. dhe H. Ch.
Policia vendore njoftoi se finalizoi operacionin e koduar “Storm”, pas një hetimi 4-javor me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.
“Goditet një grup i strukturuar kriminal që rekrutonte shtetase nga Kina dhe i sillte në Shqipëri, për t’i shfrytëzuar për prostitucion. Vihet në pranga një anëtar i grupit, shpallen në kërkim 2 organizatorët dhe procedohen penalisht 7 shtetase nga Kina”, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset kineze rekrutoheshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë shtetasit kinezë G. L. dhe Y. Zh., (Guangcheng Lin, 47 vjeç dhe Yanxia Zhang, 45 vjeçe), lindur dhe banues në Kinë. Këta shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar, pasi i rekrutonin shtetase kineze në Kinë, i dërgonin për kryerjen e aktivitetit kriminal të prostitucionit në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e këtij aktiviteti”, tha policia.
Nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal përfaqësohej në Shqipëri, nga shtetasi Guangtai Lin, i cili bënte menaxhimin dhe kontrollin financiar të shtetaseve kineze që ushtronin aktivitetin kriminal në Shqipëri. Shumat e parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal, ky shtetas i dërgonte tek shtetasja Zhang, që jeton në Bahrein, e cila bënte ndarjen e parave, 25% të fitimit i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagë, në bankë.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “prostitucioni”, kurse aksioni u krye në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera.