Bahrije Gjuni është lënë në masën ‘Detyrim paraqitje’ nga Gjykata e Durrësit. Seanca për gjyshen që ‘rrëmbeu’ nipin 3-vjeçar u mbajt me dyer të mbyllura.
Në seancë gjysha e djalit 3-vjeçar ka folur shkurtimisht duke u shprehur se gjithçka e ka bërë nga dashuria për djalin e vogël dhe nga dëshira për ta rritur vetë fëmijën pas vdekjes së të atit të tij dhe birit të saj.
Drama e rëndë familjare u rrëfye nga e ëma e fëmijës, Ile Gjuni, mbrëmjen e 13 prillit kur bëri kallëzimin në policinë e Durrësit.
Si zakonisht për fundjavë, ajo e kishte dërguar djalin e saj tek gjyshi dhe gjyshja e tij. Por kësaj here ata refuzuan t’ia dorëzojnë djalin.
Gjyshi u shpreh se nuk dinte ku ishte fëmija, ndërsa gjyshja ishte larguar me fëmijën nga shtëpia në Durrës, për në vendlindjen e saj në Krumë.
Por pas presionit policor ajo u detyrua të kthehet dhe të dorëzojë fëmijën pas gati një jave në Prokurorinë e Durrësit.
Vendimi i Gjykatës:
- Çështja penale me Nr. 241/4 Akti, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masëes së sigurimit ndaj shtetasve B.Gjuni e dyshuar per kryerjen e vepres penale te parashikuar nga neni 109/2 dhe 25 te Kodit Penal”:
Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtares Besjana Garxenaj.
Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 22.04.2024, ora 14:00.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 241/2, datë 19.042024, ku ka vendosur:
VENDOSI:
1. Konstatimin e paligjshmërisë së ndalimit të personit nën hetim B. Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 dhe 25 i Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim B. Gjuni.
3. Detyrimin e personit nën hetim B. Gjuni, që të paraqitet në Policinë Gjyqësore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të Mërkurën e parë dhe të tretë, të çdo muaji, ora 10:00.
4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim B. Gjuni, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
5. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 22.04.2024.