Rikthehen rrëshqitjet e dherave në kodrën e Currilave. Rreshjet e shirave kanë bërë që ditën e sotme një masë dheu nga kodra e Currilave të rrëshqasë duke bllokuar qarkullimin në njërin krah të kësaj rruge. Bashkia Durrës është vendosur në lëvizje me Ndërmarrjen e Shërbimit Komunal dhe punonjësit e saj për të hapur këtë aks rrugor.
Kujtojmë se më herët në vitin 2014, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka bëri me dije se kodra e Currilave do t’i nënshtrohej një projekti me vlerë 2 milionë dollarë që synonte parandalimin e rrëshqitjes së dheut nëpërmjet ripyllëzimit dhe tarracimit të kësaj kodre i cili u pasua dhe me një projekt tjetër të ndërtimit të një shëtitoreje të re.
Të dyja projektet nuk rezultuan aspak efektive për kodrën e Currilave për shkak se shëtitorja prej disa vitesh nuk ekziston më pasi është dëmtuar dhe për pasojë mbuluar nga masat e dherave të cilat kanë rrëshqitur ndër vite.
Pavarësisht veprimeve dhe mosveprimeve për të parandaluar këtë situatë erozioni, kodra e Currilave pëson rrëshqitje masive dherash, pothuajse dy herë në vit, ndërkohë që e vetmja zgjidhje e gjetur deri më tani, është pastrimi i aksit rrugor të Currilave, me lopata nga punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ 1400 ha tokë e përmbytur në Shkodër, 350 ha në Lezhë! Prezencë uji në 15 banesa! Rruga e Obotit dhe Qafe Thore të pakalueshme
SI.E./ReportTv.al