Një 49-vjeçar është vendosur në pranga pasi qëlloi me armë gjahu drejt një 26-vjeçari pas një konflikti për një manovër të gabuar në qarkullim në aksin rrugor “Manzë-Maminas”.
I arrestuari është identifikuar si Ardian Hoxha. Sipas njoftimit të bluve nga të shtënat pati vetëm dëme materiale.
Ndërkohë sipas burimeve për Report Tv 49-vjeçari i cili është emigrant është i apasionuar pas gjahut. I gjithë konflikti ka filluar kur një makinë Audi Q5 e ka parakaluar, një veprim që ai e ka marrë si provokim dhe e ka ndjekur atë nga pas.
Madje siç raporton gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Artur Korriku, Hoxha nën efektin e alkoolit ka qëlluar me çifte jo drejt makinës që e ka parakaluar, por drejt një automjeti tjetër, (drejt makinës së 26-vjeçarit).
"Menjëherë pas njoftimit se në aksin rrugor “Manzë-Maminas”, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të automjetit të një shtetasi tjetër, për shkak të një konflikti të çastit, për një manovër të gabuar me automjet, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë kanë shkuar në vendngjarje për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin.
Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga autori i këtij rasti, shtetasi Ardian Hoxha, 49 vjeç, banues në Manzë", informoi sot policia.
Blutë sekuestruan armën e gjahut çifte.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente
