Durrës- Shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur në zonën e plazhit, merren nën akuzë dy prindërit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh në Durrës, gjatë patrullimeve për sigurinë, parandalimin dhe goditjen e krimit, kanë konstatuar 3 fëmijë dhe 5 të rritur, duke lypur në rrugë.
“Për rastet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “keqtrajtimi i të miturit”, për A. B., 54 vjeç dhe E. A., 34 vjeç, pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur, për të lypur në zonën e plazhit. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për 5 rastet e lypjes nga shtetasit e tjerë, të moshave 21-40 vjeç”, njoftoi policia vendore.
Pas veprimeve paraprake të kyera, dosja për hetimin e këtij rasti dhe aktivitetit të paligjshëm i kaloi prokurorisë Durrës. Policia apelon edhe ndaj qytetarëve që të denoncojnë raste të ngjashme dhe ndaj prindërve që të jenë të kujdesshëm.
“Policia e Durrësit apelon për prindërit dhe qytetarët që të mos shfrytëzojnë të miturit për veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre, pasi përveç se përbën një paligjshmëri të dënueshme në Kodin Penal, ky veprim dëmton dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës”, thuhet në deklaratën e policisë.
Komente
