Kavajë- Një organizatë e madhe e trafikut të drogës, kryesisht shpërndarja e saj afër shkollave, është goditur nga Policia e Durrësit gjatë 24 orëve të fundit, një një operacion me shkallë të gjerë, ku morën pjesë dhjetëra forca policore.
Të paktën 15 persona u identifikuan, nga të cilët 13 prej tyre janë arrestuar, 1 u vendos nën akuzë dhe një tjetër u shpall në kërkim. Operacioni është koduar “Winter” (Dimri).
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me shërbimet operacionale Durrës dhe me Komisariatin e Policisë Kavajë, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
U sekuestruan dhe qindra doza kokaine dhe kanabisi, pajisje për presimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza dhe shuma parash.
“Gjithashtu, u sekuestruan 3 silenciatorë, 1 jelek antiplumb dhe pajisje për modifikimin e armëve të zjarrit, që u gjetën në një ambient në Kavajë, që dyshohet se ishte përshtatur për modifikimin e armëve të zjarrit”, tha policia vendore, teksa po verifikohet nëse armët janë përdorur në krime të tjera.
Hetimet janë kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të një procedimi për veprën penale "prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Operacioni nisi prej ditës së djeshme (23 shkurt)
Gjithashtu, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për N. M., 32 vjeç, banues në Kavajë dhe është shpallur në kërkim B. D., 32 vjeç, banues në Kavajë.
“Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 80 doza kokaine, 620 doza kanabisi, 2 peshore elektronike, pajisje për presimin e lëndëve narkotikëve dhe ndarjen e tyre në doza, shuma parash në euro dhe lekë dhe 19 celularë; 3 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, pajisje për modifikimin e armëve të zjarrit, 1 detektor dhe 1 bllokuesh valësh. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe individualisht, shisnin doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të Kavajës, kryesisht afër shkollave”, sqaroi policia.
Një prej të arrestuarve, Arben Xhihani, figuron person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2016 ai u akuzua se plagosi me pistoletë 'Zastava' në këmbë një person, pas sherrit në ambientet e një palestre në Kavajë.
Policia sqaroi se po vijon puna për kapjen e të kërkuarit me inicialet B. D., kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente
