Kultura

Durrës/ Stefan Çapaliku vjen me vëllimin poetik ‘Camera Obscura’, një udhëtim i veçantë mes imazhit dhe fjalës

20 Shkurt, 11:25| Përditesimi: 20 Shkurt, 11:47

  • Share

Biblioteka Publike dhe Teatri “Aleksandër Moisiu” u bënë mikpritësit e një ngjarjeje të veçantë kulturore, ku u shfaq videoperformanca me rastin e promovimit të librit me poezi “Camera Obscura” të autorit Stefan Çapaliku. Eventi u zhvillua në sallën e teatrit duke ofruar një qasje të re mbi poezinë dhe interpretimin artistik të saj. Autori, Stefan Çapaliku shpjegoi natyrën e imazheve në poezinë e tij, duke theksuar se ato nuk janë imazhe të vendosura në një pozicion të paramenduar, siç ndodh në një studio fotografike.

“Në poezi, shkrepja ndodh pa i vendosur njerëzit në pozë. Ata kthehen në karikatura, duke krijuar një formë unike të fotografimit të realitetit. Kjo bën që shkrimtari të shkruajë në kohën e vet,” u shpreh autori.

“Camera Obscura”, ose e përkthyer në shqip “Dhoma e Errët”, është një fenomen natyror ku rrezet e dritës që kalojnë përmes një vrime të vogël në një hapësirë të errët formojnë një imazh të përmbysur mbi një sipërfaqe. Ky koncept vizual shërben si një metaforë e fuqishme për poezinë e Çapalikut, e cila tenton të fiksoj realitetin në një formë të ndryshme nga ajo që ne jemi mësuar ta shohim.

Duke folur për frymëzimin e tij, autori kujtoi trashëgiminë e qytetit të tij të lindjes, Shkodrës, si epiqendra e fotografisë shqiptare.

“Unë vij nga qyteti i fotografisë, ku në mes të shekullit XIX u shfaq Pjeter Marubi me kutinë e tij të zezë, camera obscura. Ajo nuk ishte shpikje e tij, por ai e solli këtu dhe e përdori për të projektuar realitetin. Pikërisht në këtë kuti sheh imazhin e përmbysur, të cilin e quajmë negativ. Vetëm kur ky negativ printohet, ai kthehet në pozitiv,” shpjegoi Çapaliku.

Pas prezantimit të autorit, aktiviteti vijoi me shfaqjen e videoperformancës, ku imazhe të ndryshme, të kapura me aparat fotografik, u prezantuan të përmbysura në ekran, duke krijuar një efekt vizual që reflektonte konceptin e librit. Ndërsa imazhet kalonin nëpër skenë, lexohej poezia e vëllimit poetik “Camera Obscura”, duke krijuar një simbiozë mes artit vizual dhe fjalës së shkruar.

Ky aktivitet shënoi një eksperiment të guximshëm artistik, ku poezia u shfaq si një formë e gjallë arti, që komunikon me shikuesin përmes ndjesive të forta dhe imazheve mbresëlënëse.

R.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    17 vite nga masakra e Gërdecit, a do ketë drejtësi?