Politikë

Durrës, Rama takim me turoperatorë dhe hotelierë: Rrisni cilësinë e shërbimit! Kumbaro prezanton platformën ‘e-Visitor’: Të dhënat e turizmit në kohë reale

10 Prill, 17:25| Përditesimi: 10 Prill, 18:19

  • Share

DURRËS – Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, zhvilluan ditën e sotme një takim me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit, në një diskutim për sezonin e ardhshëm veror.

Numri një i qeverisë tha se sot vendi ndodhet në një pozicion krejtësisht tjetër krahasuar me të kaluarën, veçanërisht në fushën e turizmit, ku sipas tij është shënuar progres përtej çdo parashikimi, por theksoi nevojën që bizneset e lidhura me turizmin duhet të rregullojnë shërbimin, për ta bërë më cilësor.

"Nuk jemi më thjesht një vend që po shfaqet si destinacion i ri sepse ishim të pazbuluar më parë; sot jemi një vend me potencial të madh për rritje të qëndrueshme.

Po flasim për rritje të punësimit, për rritje të ndjeshme të pagave në sektorin e turizmit, një fakt konkret. Të gjithë e kanë kuptuar tashmë se krahu i lirë i punës nuk mund të jetë më një avantazh konkurrues. Për disa nivele të shërbimit hotelier, ne kemi aktualisht paga më të mira se në Greqi.

Sot kemi mbi 40 hotele me 5 yje, pjesë e brandeve ndërkombëtare, që janë vendosur në Shqipëri. Kjo është një dëshmi e fortë e transformimit tonë.

Besoj se volumi i investimeve nga qeveria dhe bashkitë për zhvillimin e turizmit është rritur si kurrë më parë, dhe ky trend do të vazhdojë. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, Shqipëria është vendi me ritmin më të lartë të rritjes në Evropë, krahasuar me vetveten. Madje, jemi në pesë vendet e para në botë për rritje të qëndrueshme në këtë sektor vit pas viti.

Megjithatë, jemi ende në një moment të brishtë. Ajo që kemi arritur nuk është e sigurt nëse nuk vazhdojmë të investojmë në drejtimet e duhura. Ky volum që kemi arritur mund të humbasë nëse nuk menaxhohet mirë dhe me vizion afatgjatë.

Për të siguruar rritje cilësore dhe të qëndrueshme, duhet të jemi shumë të qartë për çfarë duhet të bëjë sektori privat dhe çfarë duhet të bëjë shteti. Sektori privat duhet të ketë vetëm një fjalë kyçe, me të cilën duhet të zgjohet çdo mëngjes dhe të flejë çdo mbrëmje: cilësia. Cilësia e shërbimit.

Ka ardhur koha që çdo qindarkë e investuar të shkojë në rritjen e cilësisë. Ka ardhur koha që sektori privat të investojë seriozisht në cilësinë e të gjitha shërbimeve, në mënyrë që Shqipëria të mos jetë vetëm një vend i bukur, por edhe një vend mikpritës, dinjitoz dhe konkurrues në nivel global",- tha Rama ndër të tjera.

Ndërsa ministrja Kumbaro tha në fillim të fjalës së saj se të ardhurat që turizmi po i sjell Shqipërisë po rriten ndjeshëm vit pas viti.

"Viti i kaluar u mbyll me një numër rekord prej 12 milionë vizitorësh, ndërsa tremujori i parë i këtij viti shënon një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dua të përmend tre shifra domethënëse në lidhje me të ardhurat që kjo industri ka sjellë në ekonominë shqiptare:

Në vitin 2022, turizmi solli 2.8 miliardë euro, në vitin 2023, 4 miliardë euro, ndërsa në vitin 2024, 5 miliardë euro",-tha ndër të tjera Kumbaro.

Më tej, ajo prezantoi e-Visitor, platformën që po modelohet për të siguruar të dhëna në kohë reale mbi “trafikun” e turistëve të akomoduar, kapacitetet akomoduese, netqëndrimet, origjinën e turistëve, tipologjinë gjeografike të shpërndarjes në territor etj.

Kumbaro u shpreh se rritja e numrit të vizitorëve të huaj është reflektuar edhe në të ardhurat e arkëtuara nga turizmi, por duhet tejkaluar informaliteti nga ana e strukturave akomoduese mbi okupancën e shtretërve dhe kapacitetet që deklarojnë.

Kumbaro u shpreh se kjo metodologji e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, një bashkëpunim i Ministrisë së Turizmit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankën Botërore, mbështetet në tre shtylla kryesore.

“Shtylla e parë është regjistri qendror i turizmit që garanton pajtueshmëri rregullatore si dhe standarde e kategorizime të qarta. Gjithashtu, ky regjistër thjeshtëzon shërbimet, siguron digjitalizim të përmirësuar dhe optimizim të regjimit të TVSH për turizmin.
Shtylla e dytë është platforma e-Visitor që siguron mbledhje të dhënash në kohë reale, e për pasojë optimizimin e të ardhurave fiskale (Taksa e fjetjes). Përmes kësaj platforme, sigurohet formalizim i aktivitetit të sektorit, siguri e shtuar dhe mund të studiohen trendet e sjelljes turistike.
Shtylla e tretë është sistemi i të dhënave të turizmit që mundëson analizën gjithëpërfshirëse të sektorit, ndihmon në hartimin e politikave zhvillimore të bazuara në të dhëna si dhe siguron vlerësim real të impaktit ekonomik të turizmit. Ky sistem të dhënash është gjithashtu kyç për  përmirësimin e marketingut dhe promocionit bazuar në modelet e parashikueshmërie  të Tourism Satellite Account – sipas UN Tourism”, u shpreh ministrja Kumbaro duke shtuar se një sistem i tillë është një ndër rekomandimet që derivon nga Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030.

Më tej, Kumbaro foli edhe për punën e masat e marra për mbarvajtjen e sezonit veror 2025: “Ka përfunduar procesi i miratimeve paraprake për stacionet e plazhit dhe të gjitha informacionet janë depozituar pranë subjekteve dhe Bashkive përkatëse. Nga Velipoja deri në Ksamil përgjatë gjithë bregut, përfshirë liqenin e Pogradecit janë 1014 parcela publike dhe 600 subjekte që menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve”,- u shpreh ministrja.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?