Kronikë

Durrës/ Qëlluan me armë policët gjatë aksionit dhe ndjekjes, Gjykata lë në burg 2 grabitësit (VENDIMI)

27 Gusht, 10:46| Përditesimi: 27 Gusht, 15:29

  • Share

DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ardit Domin dhe Lorenc Çalin, të cilët qëlluan ndaj policisë tre ditë më parë në tentativë për tu arratisur.

Vendimi u dha nga gjyqtari Rexhep Bektshi, me kërkesë të prokurores Erida Visoçi. Për të dy u caktuan avokatë nga shteti, Tone Lekgega për Ardit Domin dhe Aishe Dervishanji për Lorenc Çalin.

Përplasja me policinë u shënua mbrëmjen e 24 gushtit, kur dy të rinjtë, pas një serie grabitjesh, nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar. Ata u larguan me shpejtësi me një automjet të vjedhur, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të patrullave. Ndjekja e nisur nga Durrës dhe u zhvendos në Vorë, pranë mbikalimit dhe një lokali dasmash. Edhe aty, Domi dhe Çali vijuan rezistencën duke hapur zjarr me kallashnikov ndaj forcave të rendit. Policia u kundërpërgjigj, ndërsa pas më shumë se 20 minutash rrethimi, Ardit Domi, 28 vjeç, mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Lorenc Çali, 27 vjeç, u neutralizua dhe u arrestua në vend.

Dy të rinjtë, banues në fshatin Bilalas të Shijakut dhe të njohur si kontingjent kriminal dyshohen se kanë kryer një seri vjedhjesh. Sipas policisë, më 20 gusht ata vodhën një automjet në sektorin Rinia të Durrësit, me të cilin më pas grabitën një pikë karburanti në Sukth nën kërcënimin e armes. Në orët e para të 24 gushtit, tentuan të grabisnin një tjetër makinë tip G-Class në afërsi të Çifligut, por shoferi arriti t’u shpëtonte dhe lajmëroi policinë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, mbi dy të arrestuarit rëndojnë disa akuza të rënda, si vrasja e punonjësit të policisë, mbetur në tentativë, vjedhje me arme, arme pa leje. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, e cila po punon për të zbardhur të plotë aktivitetin kriminal të dy të arrestuarve.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?