DURRËS - Një ditë pas plagosjes së nënë e bir në Durrës për një vend parkimi, policia ka arritur të zbardhë ngjarjen. Në pranga është vendosur Erges Juba i cili është dhe autori kryesor i dyshuar për plasosjen e dyfishtë me armë.
Sipas policisë, konflikti fillimisht ka nisur mes një personi me iniciale O.Ç. dhe Zyber Jubës ku ky i fundit mbeti i plagosur me mjete të forta. Ai u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Pas konfliktit të tyre, vëllai i Zyberit, Erges Juba ka shkuar në vendngjarje dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj vëllait dhe nënës të shtetasit O.Ç., Flamur Çermës 23 vjeç dhe nënës së tij Valbona Çerma 51 vjeç.
Gjithashtu në këtë konflikt u përfshinë dhe dy persona të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për vëllain tjetër të Erges Jubës, 34-vjeçarin me iniciale A.J. dhe një tjetër 28-vjeçar me iniciale O.N.
Në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Vrasja e mbetur në tentativë", "Armëmbajtja pa leje" dhe "Dëmtime të tjera me dashje".