Viktima, seanca gjyqësore, Esmerald Balla dhe Edison Brahaj

Durrës/ Vrau babanë pas grabitjes së kasafortës me 70 mijë euro dhe fshehu trupin në pus, Apeli lë në burg djalin dhe shokun e tij

31 Tetor, 15:40| Përditesimi: 31 Tetor, 15:56

  • Share

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Esmerald Ballën, të riun që u arrestua për vrasjen e babait të tij më 13 Gusht të këtij viti, Enver Balla.

Masa ishte vendosur nga Shkalla e Parë Durrës, kurse 30-vjeçari u zbulua dhe arrestua më 4 Shtator, pas hetimeve të thelluara për humbjen e 62-vjeçarit. E njëjta masë edhe për shokun e tij, Edison Brahaj, që akuzohet për moskallëzim krimi. Kërkesa për ndryshim mase ishte bërë nga ky i fundit nëpërmjet avokatit.

Balla e kreu krimin me armën e zjarrit pistoletë, pas një sherri në familje për zhdukjen e 70 mijë eurove nga kasaforta e viktimës.

Gjatë konfliktit fizik, i dyshuari tha se shkrepi armën në vetëmbrojtje, pasi 62-vjeçari po përpiqej ta vriste teks shkonin me makinë te stani i tyre dhe dëshmitar ishte edhe Brahaj.

Më tej trupin e fshehën në pus dhe inskenoi zhdukjen e të atit me një femër misterioze. Hapi një adresë false në internet dhe i dërgoi mesazh të vëllait që të mos e kërkonin babanë se kishte ikur me një grua.

Por pas denoncimit për zhdukje, hetimet dhe përgjimet zbuluan të vërtetën, teksa krimi u pranua nga dy të rinjtë me rolet respektive dhe çështja është në proces nga Prokuroria.

 

Ngjarja ndodhi më 13 Gusht, por denoncimi u bë më 15 Gusht nga 30-vjeçari. Trupi i Enver Ballës u gjet pas rrëfimeve të të ndaluarve, në pusin ku ishte hedhur dhe pjesërisht i dekompozuar, me dy plagë plumbi në trup, një në kokë dhe një në gjoks.

“Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj: Personit nën hetim me iniciale E. B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” ,“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, të armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe të “Fshehjes dhe asgjësimit të kufomës”, parashikuar nga nenet 79/c, 27/1 e 303 të Kodit Penal. Personit nën hetim me iniciale E. B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale  “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e të vërtetës” dhe “Fshehja kufomës”, parashikuar nga nenet 300, 301 e 303 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Durrësit kishte dhënë masat “arrest me burg” më 7 Shtator ndaj dy të dyshuarve. Pas ankimimit të vendimit nga i ndaluari Brahja, sot më 31 Tetor, Apeli ka vendosur:

“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 31.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Genti Shala, vendosi: Miratimin e vendimit me nr. 627, date 07.09.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të  Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”.

Në këtë mënyrë u pranua kërkesa e Prokurorisë për lënien në fuqi të masës dhe vijimin e hetimeve sipas akteve të dosjes penale.

Vendimi i Apelit për masën e sigurisë ndaj 2 të arrestuarve

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?