DURRËS - Një 36-vjeçar është plagosur me pistoletë në zonën e Fllakës mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00.
Arbër Goreja u qëllua teksa po udhëtonte me makinë, nga persona ende të paidentifikuar, të cilët sipas 36-vjeçarit në dëshminë e dhënë para bluve, iu afruan me një automjet tip 'Ford", me ngjyrë të bardhë, dhe qëlluan tre herë me pistoletë drejt tij, teksa ishte në lëvizje e sipër.
Nga 3 të shtënat drejt tij, Arbër Goreja thotë se ka marrë 1 plumb në brinjë, ndërsa para policisë ka theksuar se nuk ka konflikte të mbartura që mund të jenë shkak i këtij atentati.
“Isha duke ardhur në Durrës dhe mu afrua një makinë Ford e bardhë me portobagazh. Ndërkohë që po ecja, më erdhi paralel automjeti dhe më qëlloi tri herë me pistoletë. Mua më kapi një plumb në brinjë. Në fillim nuk po kuptoja nga shoku dhe më pas më nisi dhimbja. Makina më ndoqi disa metra dhe më pas ndaloi. Nuk i njoh autorët. Unë nuk kam konflikte të kaluara me persona të tjerë. Ndoshta më kanë ngatërruar me ndonjë person tjetër",- ka deklaruar para bluve Arbër Goreja.
Aktualisht Arbër Goreja ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku pati një ndërhyrje kirurgjikale, pas plagosjes me plumb në brinjë.
"Rreth orës 20:00, në zonën e Fllakës, dyshohet se për motive të dobëta është plagosur me armë zjarri shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, sqarimin dhe dokumentimin ligjor të rrethanave të ngjarjes",- njofton policia.
Komente
