DURRËS - Një 30-vjeçar u vu në pranga nga policia në një operacion të koduar "Weekend" ku iu sekeustruan 1 kilogramë heroinë por edhe doza të llojeve të tjera narkotike.
A.Dh, banues në Nishtullë të Durrësit akuzohet si shpërndarës i lëndëve narkotike, kryesisht në fundjavë nëpër lokale.
Sipas policisë, 30-vjeçari po përgatitej për të kultivuar bimë nakotike, pasi kishe siguruar një sasi farash kanabis sativa.
Gjatë operacionit, atij iu kapën gjatë kontrollit fizik, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë, të përgatitura gati për shitje.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan gjithsej, 1 kg heroinë, 6.5 gr. kokainë, një qese me fara kanabisi, një peshore elektronike dhe një sasi eurosh, paund e lekë shqiptare, të dyshuara të përfitura nga shitja e lëndëve narkotike.
I riu nga Durrësi do të hetohet nga Prokuroria e Durrësit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.