Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg efektivin e policisë Armand Marvataj, që dyshohet se ka përfituar 10 mijë euro, pasi ka lejuar Drilon Mallutën dhe Juxhin Kokën që të merrnin naftën kontrabandë të bllokuar në Durrës.
Efektivi i Policisë, Marvataj ishte caktuar detyra të ruante anijen “AYAZANOYBYA” të Tanzanisë, e sekuestruar më 13 janar të këtij viti me 200 ton naftë kontrabandë. Sipas SPAK nxjerrja e lëndës djegëse është bërë në mes të ditës, rreth orës 15:00 të 27 janarit në Porto Romano, ku anija ishte ankoruar që prej sekuestrimit me vendim gjykate.
Agjentët e AMP dhe Policia e Durrësit, bënë ri-këqyrje të anijes, përfshirë edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Porto Romano, të cilat kanë filmuar momentet e nxjerrjes së naftës, e cila është marrë me tub përmes një pompe dhe është ngarkuar në autobot. Nga ekspertimi i mostrave të marra në anije rezultoi se nafta ishte zëvendësuar me ujë.
Si ndodhi ngjarja?
Efektivi i Policisë së Durrësit, Armand Marvataj, 21 vjeç, të cilit i ishte caktuar detyra të ruante anijen “AYAZANOYBYA” të Tanzanisë, e sekuestruar më 13 janar të këtij viti me 200 ton naftë kontrabandë, mori ryshfet 10 mijë euro nga Juxhin Koka, 31 vjeç, tashmë i shpallur në kërkim, që të lejonte nxjerrjen e qindra litrave naftë nga anija, punë që e bëri në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes dhe me Drilon Mallutën.
Në hetim në gjendje të lirë janë marr edhe 7 anëtarë të ekuipazhit, nga 22 deri në 53 vjeç, mes tyre 1 shqiptar, 5 sirianë dhe 1 egjiptian. Anija "Aya Zanoubya" transportonte materiale ndërtimi dhe mbante flamurin e Tanzanisë, por brenda kishte fshehur edhe sasitë e konsiderueshme të naftës. Ndërkohë, një tjetër anije me emrin “Besart” u sekuestrua po më naftë kontrabandë në sasi 400 ton. Të dy operacionet kundër kontrabandimit të sasive të mëdha të naftës, u zbuluan dhe finalizuan me ndihmën e Guardia di Finanza në Durrës. Dyshohet se nafta kontrabandë është ngarkuar në det të hapur nga një tjetër mjet detar.
Komente
