DURRËS-Një 30 vjeçar është vënë në pranga, nga policia e Durrësit, pasi tentoi të vriste me armë zjarri një person, pas një konflikti të çastit.
Specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Distanca”, gjatë të cilët u arrestua në lagjen nr. 13, Durrës, Klenis Kazazaj, 30 vjeç, banues në këtë qytet.
Sipas policisë, ky person ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 04.08.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ”Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
‘Ky shtetas dyshohet se më datë 30.07.2023, në lagjen “Sheq i madh”, Fier, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin O. B., 34 vjeç, banues në Fier, i cili mbeti i plagosur’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.