Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një reportazh të gazetares së Deutsche Welle, Astrid Benölken, realizuar në Tiranë, kushtuar kuzhinës shqiptare, duke zbuluar se çfarë gatimesh duhet të provojnë vizitorët.
“Si destinacioni turistik me rritjen kampion, Shqipëria po konfirmohet edhe si një “parajsë ushqimi” për vizitorët e huaj”, u shpreh Rama.
“Gjiganti gjerman Deustche Welle ka realizuar në Tiranë një reportazh për shijet e Shqipërisë, një guidë gastronomike që josh të gjithë ata që vizitojnë vendin tonë me aromën e kafesë turke, ndjesinë unike të Mesdheut që përcjell fërgesa tiranase, arapashin e jugut dhe shijen që lë gjurmë të forta në kujtime si ajo e flisë që bën veriu”, theksoi Kryeministri.
“Sot do të përpiqem të provoj shijen e Shqipërisë në vetëm 24 orë”, u shpreh gazetarja e Deutsche Welle, Astrid Benölken, në reportazhin të realizuar në Tiranë.
“Shqipëria është një parajsë e vërtetë e turizmit. Është e qartë arsyeja përse vendi është një destinacion me rritje të shpejtë”, thekson gazetarja e Deutsche Welle.
“Është kaq e këndshme. Erëza interesante. Vendi ka disa specialitete shumë të shijshme”, thekson gazetarja e Deutsche Welle. “Sot do të përpiqem të provoj shijen e Shqipërisë në vetëm 24 orë, për të parë disa nga pjatat dhe vendet më interesante këtu në kryeqytetin shqiptar”, shprehet Benölken.
Gazetarja Benölken shoqërohet nga Linda, një guidë shqiptare që e ka udhëhequr në disa prej bareve dhe restoranteve në qendër të Tiranës, pasi di çdo gjë për gatimet shqiptare.
“Ne zakonisht hamë një mëngjes të lehtë, zakonisht kafe dhe sot ofrojmë kafe turke. 30 % që mbetet në filxhan nuk duhet ta pish sepse është llumë. Kafeja është një ndër industritë kryesore të Shqipërisë. Këtu ka një kafene për tre banorë. Pra, ne e marrim seriozisht punën e kafesë”, shprehet Linda.
Benölken tha se “ashtu siç mësova nga Linda, otomanët e sollën kafen në Shqipëri. Ata u larguan nga vendi, por kafja mbeti. Kafja e bluar dhe sheqeri hidhen në ujë”.
“Kthehemi përsëri tek ushqimi dhe takojmë një ndër miqtë e Lindës, Bledar Kolën, një nga interpretuesit e kuzhinës shqiptare. Një nga gjërat për të cilat ai është i famshëm është flija, një lloj byreku me qumësht. Flija është si të thuash mbreti i gatimeve të brumit. Çdo copë e saj vihet në mënyrë të veçantë. U desh katër orë të përgatitej. Është shumë e këndshme. Është e ëmbël, ngjan me një petull, por nuk është. Është si disa lloje petullash të mbledhura së bashku. Këtë e hani në familje apo edhe në restorante?”, pyet gazetarja Lindën.
“Është pak e rrallë ta gjesh në restorante. Ka shumë të ngjarë që përgatitet në shtëpi dhe kjo, sepse kërkon kohë që të përgatitet dhe një përkushtim të madh. Dhe megjithëse përbërësit janë gjëra të thjeshtë, përsëri kërkon punë për t’u përgatitur”, tregon Linda.
Në restorantin “Uragan” që është një nga vendet e shumta në Tiranë që njihet për gatimet shqiptare, Benölken provon edhe fërgesën, pjatë tradicionale e Tiranës.
Linda tregon se “fërgesa është ushqim veror. Kjo është fërgesa. Është gjizë me speca të skuqura dhe ndonjëherë i shtojmë edhe ndonjë ekstrakt dhe kemi pjatën e përkryer që hahet në verë”.
Por, Benölken, provon edhe arapashin.
“Ky është arapashi. Bëhet me qull me miell dhe me mish qengji. Është një ushqim më i rëndë nga sa kemi ngrënë, por është absolutisht shumë i shijshëm”, thekson Linda.
Benölken shprehet se “ka erëza interesante. Megjithatë, nuk është pjata ime e zgjedhur. Prandaj, mendoj të rri te fërgesa që është vërtet e këndshme. Megjithëse nuk është ushqimi im i zgjedhur, nëse ju pëlqen, duhet ta provoni arapashin”.
“Nëse kërkoni që ta kaloni mbrëmjen me ndonjë gotë, në Tiranë ka vende për të zgjedhur. Shkuam në një bar me Lindën që ishte diçka krejt e ndryshme. Këtu, te “Komiteti”, ka shumë objekte nga gjysma e dytë e shekullit XX, atëherë kur Shqipëria deri në 1990-ën ishte një diktaturë. Komiteti ishte vendi më i mirë i hierarkisë. Rakia e bardhë ballkanike është zgjedhja më e mirë në Shqipëri. Për pak më shumë se nëntë euro, ju mund të pini nga koleksioni i rakisë. E fortë. Ka shije të fortë. Dhe është vërtet e mirë. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Tamam si udhëtimi ynë”, tha Benölken.