Nevoja ulëritëse për ndryshim është një nga pikat ku bien dakord pjesa dërrmuese e qytetarëve. Pothuajse të gjitha sondazhet tregojnë se shumica e shqiptarëve janë pesimist për të ardhmen e vendit. Kjo reflektohet edhe tek largimi masiv i popullsisë, deri edhe me gomone.
Natyrisht kjo nuk do të thotë se qeverisja Rama është me keqja në 30 vitet e tranzicionit sikurse deklaron opozita berishiste. Nuk janë të pakta arritjet e qeverisjes aktuale. Përmirësim në infrastrukturë është i dukshëm, administrimi i Tiranës sot është shumë më i mirë se dje kur kryetar ishte Basha, bashkia e të cilit mbetet ende një mister. Kontrolli i territorit, rilindja urbane në disa qytete turistike si dhe modernizimi i qeverisjes nëpërmjet dixhitalizmit, ndonëse jo perfekt, janë të tjera arritje të qeverisjes aktuale që duhen vlerësuar dhe thelluar në të ardhmen.
E megjithatë, pavarësisht arritjeve të mësipërme, të cilave natyrisht mund ti shtoheshin të tjera, e vërteta e hidhur është se qeverisja aktuale nuk shënon ndonjë thyerje themelore me qeverisjet e mëparëshme apo me problematikën e tranzicionit shqiptar në përgjithësi. E thënë ndryshe, nuk ekziston “rilindja Rama” sikurse mendojnë shumë prej admiruesve të kryeministrit.
Pas 10 vitesh të qeverisjes Rama Shqipëria vazhdon të mbetet në vendet e fundit, në rajonin e fundit të Evropës, për sa i përket të ardhurave për frymë dhe nivelit të korrupsionit, në një pozicion të ngjashëm me vitin 2013 kur Rama erdhi në pushtet.
Tek të ardhurat për frymë vazhdojmë të jemi vendi i parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Kosovën. Jemi pra në të njëtin pozicion që ishim në vitin 2013. Ndërkohë për nivelet e korrupsionit vazhdojmë të kryesojmë në Ballkan duke lënë pas edhe Kosovën.
Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk është zhvilluar gjatë qeverisjes Rama. Ama nuk kemi të bëjmë me ndonjë mrekulli zhvillimore që e dallon atë nga qeveritë e mëparëshme, të paktën për sa i takon të ardhurave për frymë.
Rritja e PPB-së gjatë 8 viteve të qeverisë Rama është pak më e vogël se ajo e qeverisë Berisha si pasojë e pandemisë covid, përndryshe ka shumë mundësi që në të dy periudhat e qeverisjes të kishim ritme identike të rritjes së të ardhurave për frymë.
Natyrisht në këtë pikë mbështetësit e kryeministrit do më thonë se Rama është shumë më mirë se Berisha dhe Meta. Se ai nuk të vret në shesh kur proteston. Ndërkohë që korrupsioni i qeverisjes aktuale nuk është as bërthomor dhe as me bllok në dorë si ai i Berishës dhe Metës.
E megjithatë arësyetimi mësipërm nuk mund të fshehë faktin se qeverisja aktuale vuan nga të gjitha simptomat e rënda të tranzicionit shqiptar. Korrupsioni, keq-qeverisja, autoritarizmi, dhe kapja e shtetit, që kanë qenë prezent në të gjitha qeveritë e mëparëshme, jo vetëm vazhdojnë, por janë thelluar.
Llogjika e marrëdhënies së ekzekutivit me pronarët biznesmen të mediave është identike si në qeverisjet e mëparëshme. Nëse i shërben ekzekutivit mund të jesh mbi ligjin dhe të lejohen shkelje që një qytetar të thjeshtë do ta çonin në burg. Nëse përplasesh me Maliqin atëherë je nën ligjin dhe nuk të respektohen as disa të drejta bazë që i njihen edhe qytetarit të thjeshtë. Ky ishte rasti i përplasjes mes qeverisë Rama dhe biznesmenit Hysenbelliu prona e të cilit u shkatërrua në mënyrë flagrante pa pritur as vendimin e gjykatës.
Po kështu administrata publike shqiptare, që është vetë shpirti i shtetit, nuk është aspak më transparente dhe më meritokratike sot sesa dje. Ajo vazhdon të jetë thellësisht e politizuar. Reduktimi i ekzekutivit, i administratës publike dhe i legjislativit në një zgjatim të egos së kryeministrit është theksuar më shumë se kurrë. Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh se tek Partia Socialiste sot nuk mbijnë më politikanë, por vetëm adhurues të shefit.
Ndërkohë nga zhvillimi ekonomik i qeverisjes aktuale përftojnë një grup gjithnjë e më i reduktuar njerëzish. Kjo reflektohet se pari tek fakti se gjatë qeverisjes aktuale Shqipëria vazhdon te jetë vendi me përqindjen më të lartë të popullatës në varfëri, ose që rrezikon varfërinë, në rajon dhe më gjerë (shiko ketu ). Së dyti, mjafton të shikosh hendekun që thellohet mes rrogës mesatare dhe çmimit të apartamenteve në Tiranë dhe në qendrat urbane kryesore të vendit (shiko ketu). Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e pabanueshme jo vetëm për shtresat në nevojë, por edhe për shtresat e mesme dhe për të rinjtë që nuk blejnë dot një apartament jo në qendër, por as në periferinë e Tiranës.
Në këto kushte nuk është çudi që shqiptarët po votojnë me këmbë duke u larguar nga Shqipëria. Natyrisht që ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar dhe as pasojë thjesht e qeverisë Rama. Largimi është një plagë që po e vuan e gjithë Evropa Lindore dhe Jugore. Ky është fakt dhe në këtë pikë kryeministri Rama ka të drejtë.
Ama është gjithashtu fakt se dëshira për tu larguar nga Shqipëria është shumë me madhe krahasuar edhe me vende fqinjë të ngjashme me ne si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi apo Serbia (shiko ketu). Tek gomonet që shkojnë në Angli nuk gjen Malazez, Maqedonas apo Serb, por gjen plot shqiptarë.
E njëjta gjë ndodh me rekordin e azil-kërkuesve në BE dhe Angli që në rajon dhe Evropë mbahet nga Shqipëria. Nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një fenomen që pasqyron dëshpërimin dhe mjerimin ku ndodhet një pjesë e mirë e popullësisë shqiptare.
Është një realitet që qeverisja aktuale nuk e percepton dot sepse ajo e sheh Shqipërinë me sytë e ndërtuesve dhe biznesmenëve të mëdhenj të cilët përfitojnë nga rritja stratosferike e çmimeve, dhe jo me sytë e qytetarit të thjeshtë. Ndaj kryebashkiakut Veliaj i duket çudi që qytetarët e qajnë në vend që ta festojnë rritjen e çmimit të apartamenteve në Tiranë.
Për të njëjtën arësye prioritetet e qeverisë Rama janë gjithnjë e më larg interesave të shumicës së qytetarëve dhe në funksion të një pakice të kamur. Në Kukës, Vlorë, Durrës dhe Sarandë propozohen aeroporte, porte jahtesh dhe marina luksoze, ndërkohë që asnjëri nga këto qytete nuk ka një stacion autobuzi të hajrit, për atë shumicë qytetarësh që nuk mund të udhëtojnë me jahte apo avion nga Durrësi në Vlorë. Pa folur për lukse si një sistem shëndetësor funksional me mjekë dhe mjeke të mjaftueshëm që nuk gjinden as në Sarandë.
Problemi nuk është tek ndërtimi i aeroporteve, marinave apo porteve të jahteve, por tek idea se këto investime luksi zgjidhin papunësisë dhe varfërinë tonë. Për të kuptuar sa e gabuar është kjo strategji mjafton të shikosh aeroportin e Kukësit dhe “zhvillimin” që ka sjellë për zonën. Shumica e të rinjëve që po udhëtojnë me gomone janë pikërisht nga zona e Kukësit.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me korrupsion por me një mungesë të plotë të një vizioni zhvillimor koherent. Nga njëra anë qeveria deklaron turizmin si prioritet dhe bën investime të mëdha infrastrukturore në gjirin e Vlorës për këtë qëllim. Nga ana tjetër po tek ky gji me plazhe, flora dhe fauna të mrekullueshme çon dy tece nafte që për të punuar duhet të djegin qindra mijëra ton mazut. Po te ky gji planifikon ndërtimin e platformave të mëdha për shkarkimin e gazit të lëngëshëm që mund të hedhin në erë gjithë investimin turistik.
E njëjta rrumpallë vihet re tek menaxhimi i integruar i mbetjeve, një nga problemet themelore të vendit. Qeveria Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me riciklimin si prioritet. Ndërkohë sot prioritet është incenerimi edhe pse realisht mbetjet as nuk digjen por thjesht groposen. Ndërkohë nuk ka asnjë strategji për zhvillimin e industrisë së ricklimit në vend të asaj të incenerimit.
Qeverisja aktuale nuk ndjek ndonjë vizion zhvillimor të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës apo afatgjatë. Ajo ndjek thjesht humorin e kryeministrit që është njëkohësisht administrator, arkitekt, koreograf, gazetar, analist, artist, diplomat dhe politikan. Nuk është rastësi që profili dominues i ministreve dhe ministrave është “lepe-peqe”, pa mohuar aftësitë e tyre profesionale.
Për të gjitha këto arësye, e shumë të tjera që nuk kemi hapësirë ti rrjeshtojmë këtu, nevoja për ndryshim është ulëritëse tek shumica e shqiptarëve. Ama ky ndryshim nuk mund të vijë aspak nga zëvendësimi i qeverisë Rama me qeverinë Berisha-Meta. Të gjitha fenomenet e shëmtuara që janë përkeqësuar gjatë qeverisjen Rama, që nga korrupsioni, kapja e shtetit, kapja e bregdetit, varfëria apo hapësira mediatike e deformuar, janë prodhuar gjatë qeverisjes Berisha -Meta.
Thellimi i këtyre fenomeneve nuk është pasojë e karakterit të degjeneruar të Ramës apo Veliajt, siç propogandon papushim opozita aktuale. Është produkt i vetë llogjikës së një rendi politiko-ekonomik pervers ku politika, biznesi dhe media janë pjesë e të njëjtit kazan, për të përdorur terminologjinë e Ramës. Qeverisja aktuale ka degraduar sepse prej kohësh po ushqehet dhe po monopolizon gjellën e këtij kazani korruptiv.
Opozita Berisha/Meta jo vetëm nuk duan, por as nuk munden, ta ndryshojnë gjellën e kazanit media-politikë-biznes. Ata thjesht duan pjesën e tyre të racionit që Rama ia ka zvogëluar shumë. E thënë ndryshe, rikthimi i opozitës Berisha – Meta në pushtet konsolidon rendin aktual, ndaj jo vetëm nuk i jep fund por e thellon edhe më tej kapjen e shtetit, korrupsionin, varfërinë dhe defomimin mediatik ekzistues.
Një pushtet ku Meta është President dhe Berisha kryeministër nuk eleminon “regjimin Rama”, që në fakt është regjimi “Rama-Berisha-Meta”. Përkundrazi, rikthimi i Berishës dhe Metës në pushtet nesër, edhe sikur të ndodhë, është thjesht një standart që riciklon Ramën pasnesër.
Le të imagjinojmë për një moment që opozita e bashkuar apo e shkrirë Berisha-Meta fiton zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Le të imagjinojmë se Meta “mbetet” një politikan parimor dhe i ndershëm që nuk ia dredh Berishës për të formuar qeveri me Ramën në vitin 2025 nëse PS-ja del parti e parë, por jo shumicë parlamentare. Le të imagjinojmë se Berisha bëhet kryeministër dhe Meta president, ndërkohë Rama dhe PS-ja dalin në opozitë.
Në këtë skenar nuk ka asnjë arësye që Rama të tërhiqet nga politika. Standarti që ka vendosur rikthimi i Berishës dhe Metës në vitin 2025 garanton që Rama të rikthehet në vitin 2029 apo në 2034 në mënyrë direkte apo indirekte, me Lulëzim Bashën e rradhës.
Me siguri edhe atëherë do ketë plot zëra që me të drejtë do na thonë se pas katër, apo tetë, vitesh qeverisje Meta-Berisha duhet zëvendësuar me qeverinë Rama-Meta pasi opozita Rama është bërë e keqja më e vogël. E kështu avazi i riciklimit të së njëjtës klasë politike apo i zgjatimeve të tyre bashiste mund të vazhdojë pafund pa ndryshuar aspak rendin ekzistues, politik, mediatik dhe ekonomik.
Në këto kushte ka vetëm dy alternativa reale për ndryshim. E para është reformimi i opozitës aktuale përtej berishizmit dhe metizmit. Vetëm një Parti Demokratike që distancohet nga berishizmi dhe metizmi si fenomene anti-demokratike dhe korruptive mund të ofrojë një ndryshim real politik. Pa reformim të opozitës sot nuk mund të ketë reformim të pushtetit nesër.
Alternativa e dytë është votimi për aktorë të rinj politik që nuk janë përgjegjës për gjendjen e mjeruar ku ndodhet demokracia jonë. Aktorë të tillë ka plot si majtas edhe djathats. Natyrisht disa prej tyre, si Lëvizja Bashkë dhe kandidati i saj Arlind Qorri, nuk mbulohen nga mediat tona që janë të interesuara në riciklimin e të njëjtës klasë politike me të cilën bëjnë pazare prej kohësh. Struktura e pronësisë së medias shqiptare është e tillë që nuk i intereson rinovimi por riciklimi i klasës ekzistuese politike me të cilën flejnë prej kohësh në të njëjtin shtrat.
Pra thelbi i sfidës me të cilën përballet demokracia shqiptare është renovimi i klasës politike. Kriza kryesore e demokracisë sonë sot nuk është putinizmi apo diktatura por mungesa e renovimit politik që prodhon mungesë të theksuar të alternativës politike. Shqipëria sot ka demokracinë me ofertën politike më të varfër, qoftë në rajon qoftë në Evropë.
Të zgjedhësh mes Ramës dhe Berisha/Metës sot është si të zgjedhësh mes vdekjes së qetë me injeksion nga specialistët në spital dhe një vdekje të dhunëshme me levë kokës në bulevard. Natyrisht shumica zgjedhin të parën. Ama të dyja alternativat prodhojnë të njëtin rezultat, vdekjen e demokracisë shqiptare.
Në këto kushte debatet e aktuale nëse Rama është më i keq apo më i mirë se Berisha dhe Meta, nëse qeverisja e Ramës është putiniste apo demokratike, apo nëse Rama përmbyset me revolucion apo me zgjedhje janë periferike. Interesante nga pikpamja intelektuale, por nuk ofrojnë zgjidhje. Thjesht zhvendosin vëmendjen nga sfida themelore me të cilën përballet demokracia shqiptare: renovimi dhe pasurimi i oftertës politike.
Edhe teza më ekstreme se qeverisja e Ramës është një regjim diktatorial që mund të përmbyset vetëm me revolucion (me të cilën personalisht nuk jam dakord) prodhon si konkluzion domosdoshmërinë e rinovimit të klasës politike. Opozita aktuale Berisha-Meta është krejtësisht e paaftë të frymëzojë, udhëheqë dhe triumfojë në një revolucion anti-Rama. Berisha dhe Meta mund të bëjnë rotacion por kurrësesi ndryshim dhe aq më pak revolución.
Ndaj dy janë detyrat e çdo intelektuali, gazetari, analisti, aktivisti apo aktivisteje të shoqërisë civile që kërkon ndryshimin e regjimit politik aktual dhe demokratizimin e vendit. Së pari, ti rezistojë degradimit të qeverisjes aktuale duke denoncuar dhe protestuar korrupsionin dhe keq-qeverisjen që nga incenreatorët deri tek tecet lundruese në Vlorë, apo kapjen e bregdetit në jug. Pikërisht në këto beteja do formësohet gradualisht ndërgjegja dhe oferta e re politike.
Së dyti, kushdo që kërkon ndryshim real duhet ti ftojë dhe ndërgjegjësojë shqiptarët që të votojnë ose për një opozitë të de-berishizuar dhe të de-metizuar ose për aktorë të rinj politik (demokratik) që nuk janë përgjegjës për krizën e demokracisë sonë dhe për zbrasjen e përditëshme të Shqipërisë. Alternativë tjetër nuk ka!