Arbër Abilaliaj dhe Dritan Mehmeti

Dy derbi radhazi, Abilaliaj para Dinamos: Partizani ka 8 dëmtime! Mehmeti: Duam pikë kundër 'Demave'

26 Nëntor 2023, 18:56
  • Share

Partizani dhe Dinamo luajnë nesër në "Arenën e Demave" për javën e 14-të të Superligës. Sfida e orës 17:00 është një derbi mes tyre, teksa në fushë zbresin 35 trofe të elitës, me "Demat" që kanë fituar 17 tituj në Superligë dhe Dinamon 18-të trofe.

Në prag të ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Arbër Abilaliaj dhe Dritan Mehmeti. Të dy ish, pasi Abilaliaj ka luajtur me Dinamon, ndërsa Mehmeti ka qenë në stolin e Partizanit.

Arbër Abilaliaj

Për teknikun e "Demave" problem janë dëmtimet, teksa në derbin me Dinamon do ketë jashtë 7 emra. Kujtojmë se të diel (3 dhjetor) në orën 19:00 Partizani luan një tjetër derbi, këtë herë kundër Tiranës në "Air Albania".

"Dinamo është emër i madh, klub i madh, fanellë e rëndësishme e futbollit shqiptar sepse ka fituar disa tituj kështu që normalisht për historinë që kanë janë mëse të respektueshëm.

Dy derbi brenda javës? Kohë e gjatë që u mësuam me dëmtimet. Nga i pari te i fundit, futbollistët janë të gatshëm. 2 ndeshje shumë të rëndësishme, që konsolidojnë më shumë lojën tonë dhe psikologjinë, që në momentin që marrim pikë të plota është një bonus i jashtëzakonshëm si nga ana e pikëve dhe psikologjike. Pak ditë kemi pasur mundësi të punojmë, në mos gabojmë dita e dytë.

Kocijan dhe Grezda nuk ndodheshin në stol me Egnatian. Si është situata me këta lojtarë? Me pjesën tjetër nuk stërviten as Sota, as Atanaskoski, as mos gaboj dhe Çela. Këto janë në fazë rikuperimi, nuk janë pak, në mos gaboj 7-8. Kurse dihet, Preka ka bërë ndërhyrje kirurgjikale bashkë me Alban Hoxhën. Bytyçi pritet gjithashtu, kështu këto janë dëmtime të rënda. Të gjithë të tjerët që nuk stërviten me ekipin dhe i përmenda më lart, po mundohen të bëhen gati për ndeshjen e radhës", tha Abilaliaj mes të tjerash.

Dritan Mehmeti

Nga ana tjetër, trajneri i Dinamos tha se gjendja e ekipit është e mirë dhe kërkon pikë në derbi. Kujtojmë se trajneri më herët ka qenë në stolin e Partizanit.

"Forma e ekipit? Gjendja është e mirë. Derbi është derbi dhe sjell emocione pozitive, sepse janë ndeshje që kanë vlera. Janë dy skuadra që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Partizani është ekip shumë i mirë dhe në gjendje të mirë këto javët e fundit. Kjo e bën më të vështirë ndeshjen. E njohim shumë mirë Partizanin dhe do të bëjmë maksimumin, duhet të jemi racionalë. Partizani të imponon respekt, por kërkojmë pikë", tha Mehmeti.

Me 27 pikë, Partizani (një ndeshje më pak) mban vendin e dytë me pikë të njëjta me Egnatian kryesuese, ndërsa Dinamo me 15 pikë pozicionohet e gjashta.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?