Dy fjalë për 8 Marsin

8 Mars 2021, 21:53| Përditesimi: 8 Mars 2021, 21:57

  • Share

8 Marsi nuk është festë, pasi festë është diçka e kryer, diçka që festohet e përkujtohet si një emocion, mallëngjim që ti do ta mbash gjallë me ndjesi dhe emocione pozitive... 
8 Marsi duhet të ekzistojë, patjetër që po, por jo si festë, jo si finish por si një shenjë e fortë, si një start, një start i përvitshëm i lodhjeve, mundimeve dhe stërmundimeve që bëjnë femrat për të mbijetuar… dhe fituar teritor. Teritor në tokën që ju takon me Zot e me hak !
Të jesh femër sidomos në Shqipëri është një luftë mbi luftrat. Në qytete dhe sidomos në katunde. Maskilizmi gëlon kudo, pak herë i fshehur dhe shumë herë i veshur edhe me fustan ! Maskilizmi, nuk është bullizëm, është më shumë se aq, nuk është diskriminim, është më e thellë se aq, është mëndësi, është përçmim i mirë menduar, është  vrasje e paragjykuar pa plumb !
E njoh nga shumë afër maskilizmin, sa më shumë tia lëvizësh kufirin që të vendosin aq më shumë grushta në dinjitet dhe në shpirt do hash. Por rëndësi ka mos dorëzohesh, mos jargavitesh dhe sidomos mos ta japësh veten, ndryshe je për tu mëshiruar jo për të fituar teritorin që të takon me Zot e hak, pasi mëshira është ashtu siç thotë Migjeni “ .. bij bastarde e etërve dinakë” ! 
Maskilizmi kundër mendimeve dhe rrugëtimeve të vështira (pasi shpesh pozicionet shpërndahen për fasadë) është fakt siç është fakt që ne femrat pavarësisht një mijë pengesave, jemi agimi dhe muzgu i ditës dhe i Kombit, pavarësisht se të tjerët bëjnë sikur nuk e shohin, ne kemi një mijë duar dhe një mijë këmbë…  ne na gjen në majë të dritares duke vënë perden por njëkohësisht duke zbërthyer dhe mendimin më të ndërlikuar frojdian. Na gjen duke vrapuar si të marra nga dyqani i qepëve tek koshi i plehrave, nga prashitja e kopshtit tek ledhatimi me fjalë e gishta i krijesave tona, nga floktorja tek vitrina e librit të fundit…  nga kopshti e shkolla tek kujdesi ndaj nënës e babait, sepse ne jemi  të palodhshme, të pavdekshme.. 
Ne mbijetojmë  e sna del shpirti kollaj jo prej egoizmit siç ndodh tek burrat por sepse ne kemi krijesat mbi këtë tokë, dhe vetëm ne i dimë skutat dhe dobësitë e tyre … ne kërthizën e këpusim vetëm kur vdesim !

Komento

Komente

  • Ka akoma njerez... Çudi?!!!!: 09/03/2021 16:47

    Fantastike... Pergezime... Nje shkrim i arrire... S'kam se ç'te them tjeter, veçse se Je e Madhe...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?