Partizani dhe Bylis luajnë nesër në 18:00 për javën e 30-të në Superligën shqiptare të futbollit. Përpara ndeshjes për mediet foli edhe trajneri i Partizanit, Giovanni Colella. Italiani theksoi se pesë pikë në garën për titull janë shumë, me të tijtë që mbajnë vendin e dytë pas Tiranës kryesuese. Për të, Bylis është një ndër skuadrat që bën fubollin më të mirë në Shqipëri.
"Ndaj Bylis prisni t'i riktheheni rezultateve pozitive? Shpresojmë. Ne bëjmë gjithçka për të fituar, nëse nuk fitojmë janë edhe të tjerët të zotë. Titulli? Sigurisht që 5 pikë diferencë kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga fundi kampionatit janë shumë. Gjithçka mund të ndodh, por 5 pikë janë shumë", tha fillimisht trajneri i Partizanit.
Më pas trajneri i Partizanit foli edhe për skuadrën e Bylisit dhe forcën që ata kanë, teksa italiani konfirmoi se Selmani dhe Sembene kanë mbyllur sezonin.
"Bylis? Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Unë e kam thënë tre herë dhe po e përsëris për të katërtën herë se Bylis është një prej skuadrave më të mira dhe më të forta që kam parë. Eshtë një skuadër që luan shumë mirë futboll. Mungesat? Maguette do të jetë mungesa e vetme. Përsa i përket Selmanit dhe Sembene, të dy lojtarët e kanë mbyllur sezonin", tha Colella.
Pas 29 ndeshjeve të luajtura, Partizani me 48 pikë mban vendin e dytë në Superligë, pesë më pak se Tirana. Nga ana tjetër, Bylis me 33 pikë renditet në vendin e parafundit.