Tirana dhe Kukësi luajnë nesër në 18:00 në "Air Albania" ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Kupën e Shqipërisë. Verilindorët kanë dy gola avantazh nga ndeshja e parë e fituar 2-0, me Tiranën që ka një detyrë të vështirë në fushë për të përmbysur gjithçka dhe prekur finalen.
Përpara ndeshjes për mediet foli Erbim Fagu. Trajneri i Tiranës beson te përmbysja, ndërsa në fundjavë luhet edhe ndeshja derbi me Partizanin. Javë dhe ditë vendimtare te Tirana që sheh të luaj objektivat në pak ditë.
"Koha ka qenë e shkurtër për ta përgatitur këtë sfidë, për shkak të ndeshjeve në kampionat. Janë dy gola për t'u përmbysur, skuadra ka besim te vetja për t'ia dalë pasi në lojë është një trofe. Jemi larg finales me vetëm një ndeshje.
Do jetë e vështirë pasi Kukësi e ka rezultatin komod, por ne kemi lojtarë me eksperiencë dhe kanë kaluar këto situata. Duam finalen.
Kukësi? Do jetë i njëjti ekip, kanë një filozofi loje dhe nuk mendoj se do ketë ndryshime. Do e shohim nesër.
Tirana tre ndeshje pa pësuar - Kjo të kënaq pasi nuk pësojmë prej tre takimesh. Vjen edhe si pasojë e anës psikologjike, që kohët e fundit është rregulluar. Kemi pasur edhe stabilitet në mbrojtje dhe pozitiviteti do na hyjë në punë nesër.
Derbi në fundjavë - Situata është e mirë dhe pozitive, jemi të fokusuar te Kukësi 100 përqind. Sot që flasim nuk mendojmë për Partizanin dhe as për "Final 4". Fokusi është në Kupë dhe duam ta kalojmë, më pas mendojmë për të tjerat.
Latifi - Është kthyer, por mbetet për t'u parë gjendja e tij. Nëse do jetë i gatshëm do e fusim nga filimi.
Puna e aksioneve dhe ndikimi në ekip - Nuk besoj që kjo ka lidhje me lojtarët, janë çështje të klubit. Nuk e mendoj farë këtë pjesë, lojtarë janë të qetë. Ne fokusohemi te fusha e lojës. Shpresoj që kjo të zgjidhet në të mirë të klubit.
Najdovski - Është i rëndësishëm në ekip, ai ishte i dëmtuar kur unë erdha. Rikuperimin e ka pasur të gjatë, do i vijë momenti pasi ka përvojë. Siç e thashë do jetë pjesë e formacionit në vijim.
Kupa si objektiv - Klubi e kishte objektiv që në fillim të sezonit. Jemi këtu ku jemi dhe do bëjmë maksimumin për në finale.
Parasheh 120 minuta në Kupë para derbit me Partizanin? Shpresoj shumë që ta mbyllim për 90 minuta, do jetë një ndeshje e vështirë. Duam kualifikimin për në finale dhe më pas mendojmë për Partizanin", tha Erbim Fagu.