Dorian Puka

Dy herë i deportuar, media angleze: Hajduti shqiptar rikthehet në Britani dhe shijon jetën e luksit me Porsche, Range Rover dhe hotele të shtrenjta

3 Korrik 2023, 12:53| Përditesimi: 3 Korrik 2023, 13:02

  • Share

Autoritetet britanike e kanë deportuar dy herë megjithatë Dorian Puka nuk është ndalur dhe është rikthyer sërish në ishull të shijojë jetën e luksit, shkruan tabloidi britanik, Daily Mail.

28-vjeçari shqiptar ishte deportuar për një sërë vjedhjesh në periferi të Londrës dhe nuk duhej të ishte fare në Britani ndërsa në rrjetet sociale poston jetën e tij.

Në një hotel luksoz me katër yje në bregdetin e Kornuoll, ku çmimet e dhomave nisin nga 250 £ nata. Puka ka postuar edhe foto duke luajtur golf në Carlyon Bay. Në foto të tjera i riu shihet po ashtu duke lëvizur në Londër me Porsche, Mercedes, BMW dhe Range Rover.

“Puka poston pandërprerë, duke u mburrur për jetën e tij magjepsëse britanike. Ai shpërndan foto nga restorantet e shtrenjta në perëndim të Londrës dhe duke bërë pushime në bregdetin jugor. 28-vjeçari ka arritur t’u shmanget autoriteteve duke jetuar jetën e ëndrrave në Britani për më shumë se dy vjet që kur Home Office u informua për herë të parë se ai ishte kthyer ilegalisht në ishull”, shkruan Daily Mail.

 

Më tej, Mail nënvizon se edhe pse Ministria e Brendshme nuk ka arritur që nga 2021 të zbulojë vendndodhjen e "hajdutit serial" që ka terrorizuar Londrën për gati një dekadë, gazetarët kanë zbuluar se Puka jeton në një apartament me vlerë 250,000 £ në Hounslow, në perëndim të Londrës.

Ai është parë duke u larguar nga kjo banesë me një Mercedes CLS Coupe me vlerë 60,000 £.

Media britanike më tej konstaton se shkelja flagrante e kontrolleve të imigracionit nga Puka është ilustrimi më i fundit i dështimeve të forcave të kufirit në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2016 ai u burgos  për 9 muaj pasi tentoi të grabiste një pronë në Tëickenham dhe u dëbua në 2017. Por brenda 12 muajsh ai u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, ku kreu një sërë vjedhjesh në periferi të Londrës. Herën e dytë ai u kap nga një oficer civil në jug-perëndim të Londrës, teksa mbante në dorë një orë të shtrenjtë të vjedhur.

Puka u burgos për tre vjet e gjysmë. Mori famë në burg pasi postonte në rrjetet sociale foto me të burgosur të tjerë shqiptarë të lidhur me grupet e krimit të organizuar.

Në njërën prej tyre ai ka pozuar me një shok të dënuar dhe ka shkruar: “Nga H.M.P. ne e bëjmë V.I.P….!!!!‘.

Ai u deportua në mars 2020, por u kthye janarin e ardhshëm në Britani duke udhëtuar përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, shkruan Daily Mail

 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?