Dy ish-minatorët me pompa në xhep! Rrëfimi i njerëzve më të prekur nga 'sëmundjet profesionale': S'dinim a dilnim gjallë

5 Prill, 16:00| Përditesimi: 5 Prill, 18:26

  • Share

Gjon Gjoka në pension, 15 vite punoi në minierën e Spaçit në Batër. Puna e vështirë në kontakt të vazhdueshëm me pluhurin, lagështirën dhe grimcat e metalit i ka prekur  mushkëritë dhe është diagnostikuar me silikozë.

“Nga kushtet e vështira që ishin jam i diagnostikuar me silikozë. Jam shtruar 3 herë në spital tek sëmundjet profesionale që tani është mbyllur”, thotë ai.

Nga ajo çfarë i kanë thënë mjekët, 65-vjeçari tregon se sëmundja iu shfaq për shkak të punës së vështirë në vite. Pneumologët thonë për Report TV, se silikoza është një nga sëmundjet më të hasura tek pacientët që kanë punuar në miniera.

“Mushkëritë janë 60% të mbaruara. Kam vështirësi në frymëmarrje, kam arritur me pompa, 3 herë në ditë përdor pompë”, tregon ish-minatori Gjon Gjoka.

“Nëse do të flasim për pjesën dërrmuese të sëmundjeve profesionale që pjesa e pneumologjisë merret, ne do flasim më shumë për minierat, sepse është profesioni që ka ndotjen më të madhe. Duke punuar në një ambient i cili ka detyrimisht pluhur, ne hasim te këta pacientë sëmundjen që i themi silikoza pulmonare”, thotë për Report Tv mjeku pneumolog Arben Tanka.

Mjeku pneumolog Arben Tanka në Spitalin Qendrorë “Shefqet Ndroqi” tregon edhe vështirësitë me të cilat përballen pacientët që vuajnë nga sëmundja e silikozës, nga vështirësia në frymëmarrje, deri tek ecja në rrugë të gjata.

“Këto pacientë kanë vështirësi në kryerjen e punëve, sado të lehta të jenë. Ata kanë vështirësi në ecje të gjata kur ngjisin shkallët, pra ndodh një restriksion i kapacitetit të mushkërive”, thotë mjeku Arben Tanka.

Probleme në frymëmarrje dhe mushkëri i ka shkaktuar puna në minierë edhe Abdyl Nelit, i cili ka punuar 31 vite në Batër të Martaneshit edhe në Bulqizë. 68-vjeçari krahas probleme me mushkëritë, është i diagnostikuar edhe me probleme të tjera shëndetësore.

“Kam rreth 20 vjet që vuaj nga mushkëritë, nga mëlçia e zezë, jam edhe me diabet me insulinë. Diagnoza ftohje e rëndë, sidomos ana e djathtë në mushkëri është e bllokuar. Me zor mbushem me frymë”, tregon ish-minatori.

Dy ish minatorët tregojnë për Report TV, frikën që i shoqëronte çdo ditë në punën e tyre.

“Vetë fjala minierë ka vështirësi, hynim 1600 m thellë dhe nuk ishim të sigurtë zero për qind a do dalim të gjallë apo jo”, kujton Gjon Gjoka.

“Vdekjen e kemi parë disa herë me sy. Ka dhe rreziqe miniera, shokët tonë i kemi nxjerrë copa-copa nga shembja e blloqeve të minierave”, shprehet Abdyl Neli.

Me sëmundjet profesionale janë kryesisht pacientët që kanë punuar në minierë, industrinë metalurgjike, apo ata në kontakte me kimikate.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?