Kur po përcillja besimthyer e si në mjegull mbrëmjen e fillimmarsit ’97, të një stine gonxhengrirë e hënëngrënë, dy takimet e mia të fundit(të nesërmen do merrja arratinë e detyruar ekonomike, por edhe politike) ishin të rastësishme, por jo pak shënjuese. I pari ishte ai me Dritëronë e Sadijen, përballë hotelit 15 katësh. Emigrimin tim pas gjyqit një vjecar me akuzën e drejtpërdrejtë të ish kryetarit famëkeq të SHIK-ut, poeti ynë i madh e miku im i vjetër që më mbrojti i pari publikisht në media, atë pasdite e priti me një trishtim të vecantë.
-Sadije, do na iki edhe Kristua…Mos harro, të gjithë i rrëmbeu tahmaqarllëku i piramidave, lakmia për shtëpi të dytë a të tretë, për vila e qypa argjendi e floriri. Ti shite shtëpinë për Diturinë ! Vlerave të saj të pavdekshme u këndoi i pari, Naim Shqipëria…
Kjo përcjellje e ky mesazh i drejtpërdrejtë lamtumire, mirësie e mencurie, më ka shoqëruar gati përditë në muajt e vitet buzë Egjeut.( Po bëj publike dicka për herë të parë: Atë mbrëmje të trishtë marsi, duke zbritur në Rrugën e Kavajës, pak më poshtë ish Shtypshkronjës “Mihal Duri”, befas takoj mikun tim të cmuar që nga rinia e hershme në Tepelenë, poetin e talentuar Ilirjan Zhupa. Kur mësoi se të nesërmen do merrja udhët helm të kurbetit, u mërzit menjëherë dhe po shtrëngonte nofullat thatanike. Më hodhi krahun dhe më ftoi të hynim te kafeneja me emrin “Nacional”. Po bëhej pikë e vrer. Kemi pirë kafe dhe alkol deri vonë. Për c’farë nuk biseduam e medituam së bashku ?!...Mirëpo, unë kam 7 vjet që nuk harroj të mërmërij me veten 7 vargje të Ilirit penëhollë:”…Sikur të kisha në shtëpi jo hartë Shqipërie, po vetëm sepete,/ Sikur një copë lumi, deti e toke t’i vidhja për vete,/ Sikur të mos tymosja duhanin kaq shumë nga trishtimi,/ Sikur të isha apostull hileje, kurvërie, harbimi…/ Mbase do kisha patur një fat të artë…/ Por unë jam dhe do të jem gabimi/ Edhe sikur të lindja prapë…”). Isha me fat, që më “përcollën” dy poetë e miq të rrallë…Librat poetikë dhe shkrimet e famshme publicistike të Dritëroit, më vinin shpesh si pëllumba të bardhë nëpër qiellin e grisur të Athinës dhe qëndronin gjatë në bodrumet shekullore të Pireut, ku kisha strehuar kokën e refugjatit bashkë me Violetën time e fëmijët. Atje fillova të flas mirë me veten, me vargjet dhe autorin e dashur. Më vonë, Kristo Zharkalliu i arratisur qysh në shkollën e mesme dhe që nuk e mori kurrë pasaportën greke, po përkthente në greqisht romanin “Arka e Djallit”. Këtë punë të mundimshme e bënte me qejf e seriozitet të vecantë… Po ku ta dija unë se një natë marsi(e dymbëdhjeta, 1997), Agolli i dhimbsur e penëëmbël hodhi në letër 8 strofa të rralla për Xhevahir Spahiun. Për Xhevon që e kafshuan korbat e zinj dhe shpellarët e pandreqshëm të SHIK-ut, teksa i dukej qielli si livadh dhe hëna si mushqerrë që pinte ujë e hante bar. “Dhe ra poeti, rob i nderit,/ Sic thoshte bardi Lermontov…”. Si nëpër mjegull i vinte zëri i Lorkës së zverdhur e mehit:”Ky fis i shikasve një natë/ U derdh mbi mua si mbi ty,/ Në gjak u mbyta në Grenadë,/ Grenadën më s’e shoh me sy…”. Se krejt pa shikas bota s’mbetet…
As vetë Dritëroit nuk ia merrte mendja kurrë se do vinte një ditë e nëmur që nuk do fliste më gojë më gojë me mikun e vecantë, poetin e protestave, Xhevahir Spahiun e pagjumë. Xhevua që gjithë jetën rrufetë i priti me penë e sarkazma. Si në monizëm dhe në pluralizëm. Por në këtë botë ka shumë sëmundje, vecse ka vetëm një shëndet…Kur trokiste Viti i Ri 2011, po i vërtitej një shqetësim real: Si do e uronte poetin e sëmurë rëndë, si do komunikonte me të ? I tha Artanit që t’i sillte një kartolinë nga libraria “Agolli”. Gishtrinjtë e dridhur nga zemëra e drithëruar, dallohen qartë gati në cdo shkronjë sot e kësaj dite:” I dashur Xhevahir, të urojmë nga zemra Vitin e Ri, të kesh shëndet të plotë si shëndetin e palëkundur të poezisë tënde të mrekullueshme, që vetëm me një shkëndijë të saj i vë flakën 101 gotave rakie Skrapari. Qoftë i lumtur për ty dhe familjen tënde viti 2011. Dritëroi e Sadija. 29.12.2010”. Duke pirë kafe dhe një gotë raki me Tanin, të birin që unë e dua shumë, po dalloja një lloj brenge a faji. Kartolinën e Dritëroit nuk e kishte cuar dot në kohë te Xhevua, te “Ky kalorës i pakapshëm” sic do ta quante me të drejtë i paharruari Bardhyl Londo. Aq më tepër që sot kartolinat janë rralluar shumë dhe shikohen shpesh si “demode” e një kohe të shkuar ! Them se e lehtësova sadopak nga ajo barrë korrektese: Ma besoi mua dhe unë pas ca ditësh kërkova Orgesin, mjek onkolog i mirënjohur e që bën shumë për të atin Xhevo. Ia dhashë duke i thënë se tekstin e kartolinës e fotokopjova dhe do e ruaj në arkivin personal, e mbase një ditë mund ta publikoj në shtyp….
Jeta ka të papriturat e saj, ajo të hedh e të pret.
Nuk kanë thënë kot të parët: C’ka të bën Qeveria, s’ta bën as Perëndia ! Ose “ka Ligj, por ka edhe Maliq”. Kulmi i këtyre “maliqëve” arriti kur arrestuan ish Kryetarin e Opozitës, Fatos Nano. Arrestim i pastër politik. Evropa e qytetëruar u ra kambanave të alarmit për gjymtimin dhe sakatosjen e fillimdemokracisë së vërtetë. Sepse në Shqipëri po dëgjohej vetëm kambana e cjerrë e Njëshit. Fol, o gur, fol o mur ! Arroganca dhe hakmarrja partiake e tredhur, dukeshin sheshit. Institucionet e shtetit të së Drejtës nuk bëzanin. Lukunia e “juristëve” 6 mujorë të Plepave po hidhnin në erë një nga kolonat më të fuqishme të sistemit të ri me emër joshës. Pleqtë e mencur të vendlindjes time, i binin shkurt: Mos ki frikë nga Drejtësia, por nga Gjykatësi ! Këta zuzarë e hajdutë të panginjur e tjetërsuan keqazi atë pushtet të pamerituar.(Pasqyra e Vetingut i nxorri lakuriq !). Kryetari intelektual jo dosido i Opozitës, po e shtynte jetën në prëngat e qelitë sterrë të Burugut të Bëncës. Nëna e mrekullueshme Marie, ra e lëngoi gjatë në shtratin që nuk u ngrit më. Kush ia shkurtoi pleqërinë ?!...Duke hedhur këto shënime, kisha hapur një bllok të vjetër gazetari: Ishin kopjuar copëza nga letra e mikut tim bashkëpunëtor i hershëm i shtypit. Mban datën 30 Dhjetor 1994 !
Të dy ishim pa punë dhe përpiqeshim të siguronim ca honorare-thërrime të vogla sa për të mbajtur frymën gjallë . Ai sot ka shtëpi botuese me emër. Ndërsa unë mbeta “përtej Urës së Qabesë, nëpër lëndinat jofitimprurëse të Shtypit që i përkushtova jetën time. Dhe nuk jam aspak pishman. E desha dhe e dua shumë, prandaj sakrifikova e nuk bëra asnjë kompromis…Për mjaft arsye, letra e mikut tim shoqërohej edhe nga 4 shënime të shkurtra e të pabotuara të Heroit të Popullit, Hajdar Dushi, që nuk ranë në duart e Nanos në Burgun e Bëncës ! Ishin shënime origjinale të djaloshit gjakovar, ku fliste në mënyrë tepër koncize për zhvillimin e shoqërisë; mbi Lirinë; për Ndershmërinë dhe mbi Kuptimin e Vuajtjeve. Biri i Kosovës martire, në fund la shënimin: Burgu i Tiranës, dimri i 1943 ! Ky 28 vjecar trim kish provuar në kurriz përndjekjet, torturat, arrestimet dhe egërsinë e pashoqe të nazifashizmit e të bashkëpunëtorëve të tij të fëlliqur, të cilët donin të mbysnin Botën e Re që po lindëte nga gërmadhat, nga partizanët idealistë, nga mijëra vajzat dhe djemtë e nënave që falën gjakun e jetën e tyre në themelet e Lirisë e të Kombit, në themelet e Demokracisë së vërtetë. “Dashunia është e pasosur ndër njerëz që dijnë me luftue. Sidomos dhe vetëm kur lufta bahet për dicka të vështirë e të madhënueshme si Liria…”. Motivet e Hajdar Dushit ishin të pastra si bora majë maleve. U vra nga tradhëtorët e pabesë, 2 muaj para Clirimit të vendit, afër Kalasë së Dodës ! Gjaku i tij është atje, në dheun që veson e pikon ende, në trevat dibrane ku rrinë ndezur si prushi në oda, këngë trimërie e heroizmi. Por edhe në Berat, ku fashistët e mbajtën në prënga e qeli për 9 muaj rresht gjakovarin e papërkulur komunist idealist. Por edhe në Cermenikë, Shkodër, Durrës, Shijak, Kavajë, Ishëm e gjer në Bujan si një nga hartuesit kryesorë të Rezolucionit të Konferencës së Parë të Këshillit Nacionalclirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit…
Trimi e ka fatin me vete.
Ai ka një lajtmotiv: Më mirë të vdesësh duke luftuar, sesa të rrosh i gjunjëzuar ! “Me qenë i ndershëm me vetveten-parimi i parë moral që duhet kërkue me u zbatue nga qënia përparimdashëse dhe sociale…”, mbyllte shënimet e pabotuara Heroi 28 vjecar. Janë shkruar fiks 79 vjet më parë në Burgun e Tiranës. Por…pas 51 viteve, në vigjilje të Vitit të Ri, në të ashtuquajturën Demokraci nuk hynë dot në qelitë kobzeza të Bëncës ! Bashkë me letrën e mikut tim. Duke ulëritur për të Drejtat e Njeriut, pushtpushtetarët lejonin të hynin vetëm Bibla dhe Kurani. Paradokse të hidhura në kohën e maskarenjve!...