Dy kërkesa për ministren e Kulturës

22 Mars 2019, 13:07| Përditesimi: 22 Mars 2019, 13:14

  • Share

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve Reshat Ibrahimi pas dështimeve të njëpasnjëshme me ministret e mëparshme të kulturës për krijimin e statutit të artistëve të Shqipërisë, por edhe për krijimin e një ligji të ri për artin, kësaj here i bën thirrje ministres së re të Kulturës, Elva Margariti, që të ulet edhe të diskutojë me artistët për problematikat që ka arti sot. Ai shton se nëse ministrja duhet të vendosë nëse ka ardhur që të ndihmojë artistët dhe të mbahet mend në historinë e artit shqiptar apo nëse do të ndjekë të njëjtën rrugë, sikundër paraardhësit e saj, sa i përket dy çështjeve prej të cilave sot e vite të tërë artistët shqiptarë po i vuajnë.

Reshat Ibrahimi, kryetar i sindikatës së artistëve të pavarur: “Statusi i artistit dhe ligji i ri mbi artin dhe kulturën. Këto janë dy kërkesat, që unë ia kam bërë prezent edhe ministres së re, Elva Margariti, e cila më priti edhe u angazhua për t’u takuar me përfaqësinë e sindikatës së përgjithshme. Ne e kemi gati gjithë diskutimin që do të bëjmë, projektdraftin në lidhje me statusin e artistit, ulje moshe, për valltarët edhe balerinët. Mund të jemi i vetmi shtet në botë, që një grua 57 vjeçe edhe një burrë 62 vjeç del në skenë për të performuar. Na i kanë premtuar të gjithë ministret edhe s’kanë bërë asgjë. Të ngremë grupin e punës, për të shtruar të gjitha këto problematika, se me këtë ligj aktual po na kthehen institucionet e kulturës në institucione pleqsh. Arti do gjak të ri, të bukur edhe të shkathët, jo të dalë një grua, që nuk lëviz dot në skenë nga pesha”.

Pagesat qesharake që artistët shqiptarë sot kanë apo kontratat individuale, që bëhen nga punëdhënësit e bëjnë edhe më të vështirë mbarëvajtjen artit shqiptar mendon Ibrahimi

Reshat Ibrahimi: “Edhe ky është një problem madhor. Pagat janë rritur deri në vitin 2013, por i kemi kërkuar që artisti të ketë një pagë reale, që të përballojë të gjitha kushtet edhe profesionin, që kur artisti del në skenë të mos mendojë se gruaja nuk ka që të na blejë një kile sheqer apo mollë. Këto kontrata 2 dhe 3 mujore nuk dua që t’i dëgjojë fare. Niveli i parë është që të gjitha kontratat të jenë kolektive. Asnjë drejtor, asnjë ministër nuk ka të drejtë që të prishë një kontratë, atë e ka të drejtë që ta prishë vetëm gjykata. Ne këtë punë e kemi mbyll. Por këtu ka diçka, sipas kodit të punës, kontratat e punës po i bën punëdhënësi, drejtuesi”.

Për këtë kërkesa e Ibrahimit për ministren e kulturës është:

“Pres nga ministrja, që deri në fund të muajit të bëjë takim me përfaqësinë e sindikatës. Kjo ministre a ka ardhur për të bërë punë të mira, nëse ka ardhur për punë të mira, do ketë mbështetjen e sindikatës. Në këtë pikë jam i bindur që ka një dëshirë, vetëm se duhet që të ndajë shapin nga sheqeri, nëse ka ardhur për të bërë punë, do futet në memorien e sindikatës”.

Deri në fund të muajit përfaqësia e Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptar është në pritje të përgjigjes së ministres së Kulturës.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?