Ushtria e Koresë së Jugut tha më 24 tetor se ka kryer të shtëna paralajmëruese drejt një anijeje të Koresë së Veriut që kaloi kufirin de fakto detar të shtetit, duke shtyrë Veriun që të veprojë njësojë.
Javëve të fundit, Phenjani ka kryer një sërë testimesh të armëve, përfshirë edhe ato që pretendon se janë stërvitje taktike bërthamore, teksa në kundërpërgjigje, Seuli dhe Uashingtoni kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Me bisedimet që kanë ngecur, raportet midis dy Koreve janë në një prej pikave më të këqija në vitet e fundit. Muajin e kaluar, lideri verikorean, Kim Jong Un, deklaroi se shteti i tij është një fuqi “e pakthyeshme” bërthamore, duke i dhënë fund në mënyrë efektive negociatave mbi ndalimin e programit të tij të armëve bërthamore.
Pavarësisht se asnjëherë zyrtarisht nuk është njohur si marrëveshje e armëpushimit, pakti i viti 1953 i dha fund armiqësive pas Luftës Koreane, por megjithatë çështjet e kufirit detar vazhdojnë të mbesin pikë e nxehtë mes dy shteteve, të cilat më herët edhe janë përleshur për këtë çështje.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se një anije tregtare verikoreane kaloi në ujërat e saj, prandaj ushtria reagoi.
“Koreja e Veriut po vazhdon provokimet dhe pretendimet e pamatura që minojnë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe në komunitetin ndërkombëtar”, tha ushtria jugkoreane, duke kërkuar nga Veriu që të ndalë këto veprime.
Synimet e Koresë së Veriut për test të ri bërthamor
Ndërkaq, ushtria verikoreane tha se një anije ushtarake e Jugut “shkeli” në kufirin de fakto, duke pretenduar se ushtria jugoreane hyri 2.5 kilometra në ujërat e Veriut. Shkëmbimi i të shtënave paralajmëruese erdhi pasi Koreja e Veriut ka kryer gjatë këtij viti testime të raketave, përfshirë edhe një raketë me rreze të gjatë veprimi, që ka fluturuar mbi Japoni. Seuli së fundmi ka mbajtur stërvitje ushtarake dhe Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar në rajon një avion me kapacitet bërthamor dhe ka zhvilluar stërvitje ushtarake me Seulin dhe Tokion./REL